Rama dhe Berisha drejt Paktit II, Meta e nis ditën në palestër

Teksa mazhoranca dhe opozita ulen sot në tryezë të përbashkët për t’i dhënë fund tensionene në seancat plenare dhe për të rënë në ujdi për kërkesat e Berishës, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zgjedhur ta nisë vrullshëm këtë ditë të rëndësishme për politikën shqiptare.

Në ditën kur pritet një marrëveshje mes PS-së sdhe PD-së, e njohur edhe si Pakti II Rama-Berisha pas atij të 2008, kreu i PL-së ka publikuar në rrjetin e tij social në Facebook një video nga palestra.

”Kur dita nis vrullshëm në mëngjes”, ka shkruar Meta krahas videos.

Sot në orën 13:30 kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla do të ulë në tryezë kryetarët e grupeve parlamentare, nga ana e PS-së do të jetë Bledi Çuçi, ndërsa nga ana e PD-së do të jetë Gazment Bardhi.

Në këtë takim pritet që të ketë një pakt të dytë mes Ramës dhe Berishës, pas atij të 2008-ës dhe nëse dy palët bien në ujdi, atëherë i vjen fundi edhe bllokimit të parlamentit.

Cilat janë çështjet që pritet të dakordësohen mes dy palëve:

Mbledhja e konferencës së kryetarëve do të vendosë ngritjen e komisioneve hetimore dhe në bisedimet paraprake mes dy kryetarëve të grupeve Bledi Çuçi e Gazment Bardhi është rënë dakord që nga 8 kërkesa të opozitës të ngrihen dy komisione hetimore pasi të rishikohet objekti i tyre.

Por për PD e drejtuar nga Sali Berisha cështja më e rëndësishme është reforma zgjedhore pasi prej 5 muajsh deputetët demokratë kanë bllokuar parlamentin duke kërkuar shkarkimin e Enkelejd Alibeajt dhe zgjedhjen e Oerd Bylykbashit në postin e bashkëkryetarit të komisionit të posacëm të reformës elektorale.

Në këtë rast të dy palët mësohet se kanë rënë dakord që komisionit të posacëm për reformën, i cili ka afat deri të enjten e ardhshme ne 21 mars, të mos i zgjatet mandati. Në këtë mënyrë Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj humbasin monopolin e drejtimit të reformës në emër të opozitës.

Do të diskutohet edhe kërkesa e tretë, e cila duket se është pranuar para nisjes së mbledhjes. Kërkesa e tretë është që kryetari i grupit parlametar te PD të jetë Gazment Bardhi, një kërkesë kjo e pranuar, pasi sot merr pjesë në mbledhje nën detyrën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së.

Pakti Rama-Berisha në 2008

Fill pas shpërthimit të Gërdecit në mars 2008, gjatë muajit prill të atij viti, në atë kohë kreu i opozitës Edi Rama dhe Kryeministri Berisha u ulën dhe bë një marrëveshje të thelluar ku parashikoheshin ndryshime thelbësore të Kushtetutës, përfshi edhe Kodin Zgjedhor.

Ndryshimi kryesor lidhej me kalimin nga një sistem i përzier zgjedhor, pra një kombinim mes sistemit maxhoritar dhe atij proporcional, në sitemin proporcional rajonal.

Kjo çimentoi pushtetin e krerëve të partisë duke shmangur individualitetet dhe rolin e deputetëve “të fortë” në zonat e tyre si edhe zbehu pozicionet e ministrave po ashtu duke fuqizuar ndjeshëm kryeministrin. Shqipëria vijon sërish të apikojë ndryshimet e vitit 2008 dhe ky i tanishmi duket të jetën Pakti II Rama-Berisha, pavarësisht se do të firmoset nga Gazment Bardhi dhe Bledi Çuçi./albeu.com

 


Shtuar 12.03.2024 11:02