Raketat ruse godasin Kharkivin disa orë pas vizitës së papritur të ministres gjermane

Raketat ruse goditën qytetin lindor të Ukrainës, Kharkiv, të martën vonë, tha guvernatori rajonal, vetëm disa orë pas një vizite të papritur të ministres së Jashtme gjermane me homologun e saj ukrainas, raporton AFP.

Annalena Baerbock u zotua për mbështetje të mëtejshme gjermane për Kievin në udhëtimin e saj të paparalajmëruar, por kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba tha se refuzimi i Berlinit për të dërguar tanke luftarake vendit të tij po i kushtonte jetë.

“Qëndroni në strehimore. Pushtuesit po bombardojnë sërish!,” paralajmëroi Guvernatori rajonal Oleg Synegubov në Telegram. Një gazetar i AFP dëgjoi disa shpërthime në qytet.

Baerbock, e cila të martën u bë zyrtarja perëndimore e nivelit më të lartë që vizitoi Kharkivin, kishte premtuar mbështetje të mëtejshme gjermane për Kievin.

“Në të gjitha pjesët e Ukrainës, nga Kharkiv në Kherson në Kiev, njerëzit duhet të dinë se mund të mbështeten në solidaritetin dhe mbështetjen tonë,” tha ajo.

Ajo theksoi se Gjermania do të vazhdojë të furnizojë me armë “që i duhen Ukrainës për të çliruar qytetarët e saj që ende vuajnë nga terrori i okupimit rus”./Albeu.com/


Shtuar 11.01.2023 07:53