RAI raporton mbi vizitën e Begajt në Kalabri: Ishit e vetmja dritare mediatike përmes së cilës shihnim të vërtetën

Rai News ka raportuar mbi vizitën e Presidentit të vendit tonë, Bajram Begaj, i cili prej ditës së djeshme, 20 tetor ndodhet në Kalabri.

Ditën e djeshme, Presidenti takoi guvernatorin Roberto Occiuto në selinë rajonale ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të shumtë të komuniteteve arbëreshe.

“Roli i Rait ishte themelor në periudhën e regjimit dhe censurës. Nëpërmejet transmetimeve vendi ynë mund të shihte të vërtetën”, tha Begaj, raporton Rai.

“Rai Kalabria” është një institucion mediatik që mbron të drejtat e pakicave etno-gjuhësore. Në ceremoni ishin të pranishëm, drejtori i “RAI Kalabria” dhe prefekti i  Kozencës.

Gjatë fjalës së tij Presidenti Begaj, përmendi gjithashtu lidhjet e hershme të shqiptarëve me RAI-n gjatë izolimit komunist. Ai shprehu mirënjohje për angazhimin dhe kontributin e “RAI Kalabria” në promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe.

“Kënaqësia është edhe më e madhe pasi kjo vizitë korrenspondon dhe me miratimin e rezolutës nga Komisioni i Mbikqyrjes së Shërbimit Publik të Radiotelevizionit Italian, me anë të së cilës mbështetet transmetimi nga RAI Calabria, i programeve në gjuhën arbëreshe për 2023-2028.

Jam besimplotë, se transmetimi i rregullt në gjuhën arbëreshe, do të jetë një kontribut i vyer për ruajtjen e kësaj gjuhe shumëshekullore, që për shkak të zhvillimeve globale rrezikon të humbasë. Transmetimi i programeve të tilla nga RAI Calabria, në kuadër të ruajtjes nga Italia të gjuhëve të minorancave, do të ndihmojnë që kjo gjuhë të ruhet e trashëgohet më tej. Duke e krahasuar arbërishten me shqipen e sotme, Çabej shprehej, se një shqiptar i Shqipërisë, duke dëgjuar një arbëresh të San Marzanos, do të kishte të njëjtën përshtypje që një italiani të sotëm i lë dëgjimi i gjuhës italiane të kohës së Dantes.”

Presidenti i Republikës apeloi për nevojën e lejimit të mësimit të gjuhës arbëreshe në shkollat ​​e komuniteteve krahas lëndës italiane, pasi kjo parashikohet në ligjin italian.

Presidenti Begaj nderoi stacionin televiziv “RAI Kalabria” me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”./Albeu.com

 


Shtuar 21.10.2023 16:30