​Gjenden mbetjet mortore të katër viktimave nga lufta e fundit në Bishtazhin të Gjakovës

Janë gjetur eshtra kockore të rreth katër viktimave, që i përkasin periudhës së luftës.

Kështu bëri të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ndërsa tregon se gërmimet në këtë zonë ende nuk kanë përfunduar.

Gara në një intervistë për Kosova Press tha se zona është përcaktuar me ndihmën e satelitëve dhe me përkrahjen nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq. Ai shtoi se gërmimet kanë filluar më datën 14 shtator dhe po vazhdojnë ende.

“Gërmimet që janë duke u realizuar që nga data 14 shtator, diku më datë 4 tetor është hasur në mbetje mortore ose në pjesë kockore. Pra, është konfirmuar ekzistimi i kësaj varreze masive. Esenciale ka qenë për të përcaktuar saktë lokacionin e dyshuar kanë qenë pamjet apo imazhet satelitore, të cilët i kemi siguruar me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq nga arkivat ndërkombëtare. Për momentin është herët të përcaktohet numri i personave si individ ose viktimave të zhvarrosura deri më tani. Megjithatë, sipas të dhënave nga ana e doktorëve ose antropologëve tanë mjekoligjor, numri i individëve do të jetë të paktën katër deri më tani. Meqë edhe në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet dhe vlerësimet në këtë zonë”, tha Gara.

Ndërsa, zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ditor Haliti tha se në këtë zonë janë gjetur vetëm pjesë kockore, që nuk i përkasin trupave të plotë, ndërsa shtoi se çështja e identifikimit të tyre do të marrë muaj për t’u kryer procedurat jashtë vendit.

“Të gjitha mbetjet kockore janë duke u tërhequr dhe duke u dërguar në Institutin për Mjekësi Ligjore, ku më vonë do të ekzaminohen. Për momentin kemi gjetje vetëm të pjesëve kockore, por që nuk i përkasin trupave të plotë. Sidoqoftë, ekzaminimi i plotë i këtyre mbetjeve kockore do të bëhet vetëm sa të përfundoj zona në Bishtazhin, pasi të përmbyllet zona, do ta kemi një pasqyrë të qartë se me sa individë kemi të bëjmë në këtë lokacion. Pasi të ekzaminohen mbetjet skeletore në Institutin për Mjekësi ligjore do të merren edhe mostrat kockore që do të dërgohen për analizë gjenetike, ku pastaj kjo analizë pritet të zgjasë disa muaj, dhe në fund priten rezultatet që lidhen me identifikimin e këtyre mbejteve mortore”, theksoi Haliti.

Gërmimin në Bishtazhin të Gjakovës, Gara e quan projekt madhor dhe sfidues, derisa shtoi se janë rikthyer në këtë lokacion pas 24 vitesh.

“Padyshim, ky lokacion, pra lokacioni në Bishtazhin ose gërmimi që tani po bëhet, mbetet një projektet më madhore gjatë këtyre dy vjetëve të fundit për shkak të specifikave të lokacionit, meqë jemi shumë afër lumit “Erenik”, dhe gërmimi në këtë lokacion mbetet mjaft sfidues. Duke e pasur parasysh edhe afektin e mungesës së të dhënave se çfarë ka ndodhur saktësisht në vitin 1999 përveç të dhënave që i potencova. Përveç vitit 1999, gjatë këtyre 24 vjetësh pas lufte, jemi rikthyer. Gërmimet kanë filluar diku në mes të muajit shtator, përkatësisht më datën 14 shtator, dhe janë më shumë se 22 ditë punë intensive që realizohen apo kryhen nga ana e ekspertëve mjeko-ligjorë të Republikës së Kosovës, të Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjithmonë edhe me angazhimin edhe të hetuesve apo policisë për hetimin e krimeve të luftës”, tha Gara.

Gara tha se pasi të përfundojnë gërmimet në këtë lokacion do të ri-adresohet kërkesa për palën serbe, për mundësinë e rikthimit në lokacionet e varrezave masive të trajtuara në territorin e Serbisë. Ai shtoi se pas identifikimit do të përcaktohet numri i saktë i viktimave të zhvarrosura dhe identiteti i tyre, për çka do të njoftohen edhe familjarët.

“Pasi të përfundojnë gërmimet në këtë lokacion, pa shmangshëm do të ri-adresohet pastaj edhe kërkesa për palën serbe, për mundësinë e rikthimit në lokacionet e varrezave masive të trajtuara tanimë në territorin e Serbisë. Meqë shumë nga këto lokacione, përkundër trajtimit të deritanishëm, për ne mbesin si raste të papërfunduara.

Besoj që edhe mbetjet mortore, eshtrat që janë duke u zhvarrosur, në procedurë të mëtutjeshme në kuptimin e ekzaminimit mjeko-ligjor, pastaj edhe përfshirjen e identifikimit përmes analizave të ADN-së përmes mbështetjes së Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Pas identifikimit do të përcaktohet numri i saktë i viktimave të zhvarrosura, identiteti i tyre dhe pastaj do të njoftohen familjet për personat e identifikuar”, tha Gara.

Ndër të tjera, Gara tha se ky lokacion është përdorur gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe për groposjen e viktimave të tri masakrave nga komuna e Gjakovës dhe fshatrat përreth. Ai shton se pas groposjes, në vitin e fundit të luftës forcat serbe prapë i kanë tërhequr kufomat në drejtim ta panjohur.

Sipas tij, rasti i Bishtazhinit ndërlidhet me tri varrezat e para të hapura gjatë vitit 2001-2002 në territorin e Serbisë, që në bazë të dhënave ekipet mjeko-ligjore ndërkombëtare kanë vizituar lokacionin në ditët e para të pasluftës, gjatë muajit korrik-gusht 1999. Derisa tregon se gjetjet i kanë sjellë në Gjakovë për t’i varrosur, dhe prej asaj kohe nuk ka pasur ndonjë lëvizje sa i përket gërmimeve.


Shtuar 21.10.2023 16:36