Qeveria e re, Nikollë Lesi: Nga “tërmet” PS-ja tani do jetë “vullkan” elektoral, Rama do i palosë kundërshtarët

Nikollë Lesi ka bërë një tjetër shkrim për qeverinë “Rama” dhe strukturën e re të Partisë Socialiste.

Ai ka dhënë një vlerësim pozitiv për emrat e rinj duke u shprehur se PS do të jetë një makineri elektorale, dhe me ktë opozitë që ka përballë do marrë edhe mandatin e katërt.

Ai thotë se nga “tërmet” PS-ja do jetë “vullkan” elektoral.

Shkrimi i plotë i Lesit:

Edi Rama i besoi detyrën e numrit dy në PS, Damian Gjiknurit.

Ish-ministër dhe drejtues fushate elektorale në disa qarqe problematike, Gjiknuri ka ditur të përbashkojë gjithë të majtët.

Ai, pas Edi Ramës, mbetet motori kryesor i betejave elektorale.

Njeri besnik i kryeministrit dhe dashamirës edhe me opozitën, me lidhje të forta përtej Oqeanit, Damian Gjiknuri është zgjidhja më e mirë e Edi Ramës.

Gjiknuri tha se pozicioni i sapoemëruar është një sfidë e madhe dhe nënvizoi se do të japë më të mirën në këtë pozicion. Gjiknuri theksoi se të qenurit ministër nuk është se do të ndryshonte asgjë, pasi Partia Socialiste çdo ditë sipas tij është një angazhim i ri dhe i mbushur me sfida.

“Unë kandidimin tim të parë e kam pasur në Qarkun e Elbasanit. Është një detyrë e vështirë, sfidë e madhe. Natyrshëm që edhe unë kam eksperiencën time dhe do të bëj më të mirën të mundshme punën e nisur.

PS është konfirmuar si një forcë fituese, shumë aktive dhe e aftë”, tha Gjiknuri.

Damian Gjiknuri ishte një “termet” elektoral për opozitën, ndërsa tani “vullkani Gjiknuri” do djegë opozitën në beteja elektorale.

Flasim për këtë opozitë që kemi sot!

Ndaj Opozita duhet të hartojë e zbatojë strategji të re përballje me Edi Ramën, sepse ai mori zgjedhjet dhe në arenën ndërkombëtare është fuqizuar frikshëm.

E megjithatë Edi Rama sot tregoi qartë me lëvizjet në PS dhe qeveri se ka informacion për kundërshtarët e tij të fshehtë që synojnë t’ia marrin PS-në duke iu ledhatuar ditën, kurse natën flasin videocall kundër.

Njerin e palosi, ndërsa tjetrit ia preu krahët, aq sa të gjithë në PS morën sinjalin se pasardhësi i Edi Ramës në PS akoma nuk dihet!

 


Shtuar 2.09.2021 17:33