Qeveria e Maqedonisë së Veriut do u japë 42 mijë qytetarëve nga 3 mijë denarë në 4 muajt e ardhshëm, për të përballuar krizën ekonomike.
Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri Dimitar Kovaçevski, gjatë prezantimit të masave anti-krizë të përgatitura për familjet sociale.
Kovaçevski bëri të ditur se janë ndarë 350 milion euro për masat e krizës energjetike dhe ekonomike, ndërsa shpjegoi se kujt i takojnë këto 3 mijë denarë.
“Me këtë set të masave antikrizë para se gjithash sigurojmë nga 3 mijë denarë në muaj në katër muajt e ardhshëm ose në total 12 mijë denarë për 42 mijë qytetarë. Këtu hyjnë persona të cilat marrin ndihmë sociale, persona të cilat janë me nevoja të veçanta, prindër të fëmijëve me nevoja të veçanta deri në moshën 26 vjet që shfrytëzojnë të drejtën për shtesa të veçanta, persona me aftësi të veçanta që shfrytëzojnë të drejtën për kujdes ndaj tjetrit, prindërit e vetëm si dhe personat e papunësuar. Për këtë masë janë ndarë mbi 8 milion euro”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.
Gjithashtu, sipas Kovaçevskit në paketën antikrizë janë të përfshirë edhe pensionistët.
“Ndihmë të drejtpërdrejt financiare në total prej 6 mijë denarëve në 4 muajt e ardhshëm, pra 1500 denarë në muaj do të ketë edhe për pensionistët që marrin pension deri 11.525 denarë, ndërsa janë mbi 91.600 pensionistë. Gjithashtu ndihmë të drejtpërdrejtë financiare prej 3000 denarëve janë siguruar edhe ër pensionistët që marrin pension nga 11.525 denar deri në 14.000, gjegjësisht mbi 66 mijë pensionistë”, shtoi Kovaçevski.
Ai theksoi se ndihmë do të kenë qytetarët dhe kompanitë për t’i mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike. 4 mijë qytetarë do të ndihmohen për të paguar energjinë elektrike, ndërsa kompanitë do të lirohen nga TVSH-ja për importin e gazit, ndërsa për bujqit janë ndarë 52 milion euro.