Putini: Qëllimet e Rusisë në Ukrainë “të pandryshuara”

Putin organizoi një konferencë të madhe vjetore për shtyp, për herë të parë që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës. Ai ishte i qartë në këtë rast: nuk do të ketë paqe derisa Rusia të arrijë objektivat e saj.

Sipas presidentit Vladimir Putin, Rusia u përmbahet objektivave të saj në luftën në Ukrainë. Në konferencën e tij vjetore për shtyp, Putini nuk tha se do të tërhiqej. Objektivat e “operacionit special ushtarak” – siç e quan Rusia luftën kundër Ukrainës – mbeten të pandryshuara.

“Paqja do të mbretërojë kur të arrijmë qëllimet tona”, tha ai.

“Do të ketë paqe kur t’i arrijmë qëllimet tona. Le t’u kthehemi këtyre qëllimeve: ato nuk kanë ndryshuar. Ju kujtoj për çfarë folëm në atë kohë: denazifikimin e Ukrainës, çmilitarizimin e saj, statusin e neutralitetit të saj”, tha ai.

Sipas tij, paqja do të jetë e mundur vetëm pas çmilitarizimit.

“Nëse ata nuk duan të arrijnë marrëveshje, ne do të detyrohemi të marrim masa të tjera, përfshirë ato ushtarake. Ose do të biem dakord për disa kushte. Ka mundësi të tjera: ose të arrihet një marrëveshje, ose të zgjidhet problemi me forcë. Kjo është ajo që ne do të përpiqemi të bëjmë”.

Kusht për paqen do të ishte edhe statusi neutral i Ukrainës – pra heqja dorë nga anëtarësimi në NATO. Vëzhguesit e panë këtë si një ofertë për Perëndimin, duke e ftuar Ukrainën të kapitullonte në luftë.

“Ukraina nuk është e gatshme të negociojë çmilitarizimin”, tha Putin. Prandaj Rusia është “e detyruar të marrë masa të mëtejshme, duke përfshirë masat ushtarake”.

 


Shtuar 14.12.2023 17:52