Putin po e përdor ushqimin si armë, por përpjekja e tij cinike për të mbledhur aleatë me zor do të dështojë

Nga Josep Borrell “The Guardian

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Më 17 korrik, gati 1 vit pas nënshkrimit të marrëveshjes në Stamboll, Rusia vendosi që të mos e rinovojë Nismën e grurit të Detit të Zi (BSGI) që e lejon Ukrainën të vazhdojë eksportimin e mallrave bujqësore në tregjet globale edhe gjatë luftës.

Siç është nënvizuar më të drejtë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, kjo nismë ka qenë “një fener shprese në një botë që ka shumë nevojë për të”. Para luftës së nisur nga Rusia, Ukraina ishte një furnizuese shumë e rëndësishme e ushqimit në nivel global.

Një e pesta e elbit në botë vinte nga Ukraina, ashtu si dhe një e gjashta e misrit dhe një e teta e grurit. Pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në fund të shkurtit të vitit të kaluar, duke sulmuar fushat me drithëra dhe kapanonet e ruajtjes së dridhit, dhe duke bllokuar portet e Ukrainës, çmimet globale të ushqimeve u rritën në nivele rekord.

Ato rrezikuan furnizimin e nevojshëm ushqimor për shumë vende importuese. BSGI synoi që të rivendoste një rrugë jetike për eksportet bujqësore nga Ukraina dhe të ulte çmimet globale të ushqimit. Me gjithë sfidat e shumta, ajo ia arriti qëllimit të saj kryesor.

Që nga gushti i vitit 2022, eksporti i thuajse 33 milionë tonë drithërave dhe ushqime nga Ukraina në 45 vende të botës, luajti një rol të rëndësishëm në uljen me 25 për qind të çmimeve globale të ushqimeve, pas rekordit që u shënua menjëherë pas sulmit të Rusisë.

Siç e tregojnë edhe të dhënat e tregtisë, mbi gjysma e sasisë së drithit, përfshirë 2/3 e sasisë së grurit, shkoi në vendet në zhvillim. Përveç kësaj, BSGI siguroi një qasje të vazhdueshme tek gruri në kuadër të Programin Botëror të Ushqimit (WFP).

Këtë vit, Ukraina furnizoi 80 për qind të grurit të blerë për të mbështetur operacionet humanitare në vendet më të pasigurta ushqimore si Afganistani, Xhibuti, Etiopia, Kenia, Somalia, Sudani dhe Jemeni. Pa rrugën e Detit të Zi, WFP duhet që t’i marrë drithërat e saj diku tjetër me çmime më të larta dhe për një kohë më të gjatë, pikërisht në një moment kur bota po përballet me një krizë ushqimore të paprecedentë.

Vendimi i Rusisë u mor pavarësisht propozimeve të reja të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të punuar drejt adresimit të shqetësimeve të këtij vendi. Për t’u shfajësuar për këtë veprim, Rusia pretendon se eksportet e saj bujqësore nuk u lehtësuan mjaftueshëm. Por ky pretendim hidhet poshtë nga të dhënat tregtare të disponueshme publikisht, të cilat tregojnë se eksportet bujqësore të Rusisë janë rritur ndjeshëm. Rusia pati përfitime domethënëse nga memorandumi i mirëkuptimit me OKB-në për eksportet e plehrave, i cili ishte ndërmjetësuar paralelisht me BSGI.

Nga ana tjetër, OKB-ja ka punuar pa pushim për të qartësuar kuadrin rregullator dhe për t’u angazhuar me sektorin privat, për të gjetur zgjidhje të posaçme në të gjithë sektorët bankarë dhe të sigurimeve. Këto përpjekje janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropa dhe partnerët e saj.

Përkundër gënjeshtrave që përhap Rusia, BE-ja është siguruar që sanksionet tona të mos kenë aspak ndikim mbi sigurinë globale të ushqimit. Nuk ka sanksione ndaj eksporteve ruse të ushqimeve dhe plehrave në vendet e treta.

Brukseli ka dhënë udhëzime të gjera për operatorët ekonomikë, duke sqaruar se janë të lejuara këto transferime në vendet e treta. Po ashtu, ne kemi punuar me OKB-në për të lejuar pagesat përkatëse. Pavarësisht këtyre fakteve të njohura dhe të verifikueshme, Rusia vendosi të tërhiqet nga BSGI në korrik, duke e përdorur ushqimin si armë dhe duke rrezikuar furnizimin global të ushqimit.

Dhe disa orë pas tërheqjes nga marrëveshja, Rusia filloi që të shkatërrojë objektet e depozitimit të grurit të Ukrainës dhe infrastrukturën portuale me sulme të përditshme të synuara, jo vetëm në vetë Detin e Zi, por edhe në Danub.

Për pasojë çmimet me shumicë të grurit dhe misrit pësuan rritjen e tyre më të madhe që nga fillimi i luftës së Rusisë ndaj Ukrainës. Rritja e paqëndrueshmërisë së çmimeve të ushqimit ka të ngjarë të vazhdojë për sa kohë që Rusia e vendos qëllimisht nën presion furnizimin global të ushqimit, duke e përshkallëzuar krizën globale të kostos së jetesës, e cila është më akute për njerëzit që vuajnë nga pasiguria ushqimore në vendet e varura nga importi. Kjo është e papranueshme dhe duhet dënuar me vendosmëri.

Ndërsa bota po përballet me furnizime që herë pas here ndërpriten dhe me çmime më të larta, Rusia po u qaset tani vendeve të cenueshme, veçanërisht në Afrikë, me oferta dypalëshe për eksporte të kufizuara të grurit, duke pretenduar se po zgjidh një problem që në fakt e krijoi vetë.

Kjo është një politikë cinike që synon ta përdorë qëllimisht ushqimin si një armë. Në kundërpërgjigje të veprimeve të papërgjegjshme të Rusisë, Bashkimi Evropian është aktiv në 3 linja kryesore. Së pari, ne do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e palodhura të OKB-së dhe Turqisë për të ripërtërirë marrëveshjen.

Së dyti, do të vazhdojmë të forcojmë “korsitë tona të solidaritetit”, si një rrugë alternative për eksportet bujqësore ukrainase për të arritur tregjet globale nëpërmjet BE-së. Këto korsi kanë lejuar deri tani eksportin e më shumë se 41 milion tonëve mallrave bujqësore të Ukrainës, dhe ne po e rrisim këtë sasi sa më shumë që të jetë e mundur për të zbutur pasojat e ndërprerjes së njëanshme të BSGI nga Rusia.

Së treti, kemi rritur mbështetjen tonë financiare për vendet dhe njerëzit më në nevojë, duke siguruar 18 miliardë euro për të garantuar sigurinë ushqimore deri në vitin 2024. Ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe të gjitha vendeve që të rrisin ndihmën e tyre në mbështetje të sigurisë globale të ushqimit.

Ne kërkojmë nga të gjithë partnerët tanë që ta nxisin Rusinë të rikthehet tek negociatat, siç ka bërë tashmë Bashkimi Afrikan, si dhe të përmbahet nga synimi i infrastrukturës bujqësore të Ukrainës. Me një zë të qartë dhe të unifikuar, ne mund ta bëjmë Rusinë të rifillojë pjesëmarrjen e saj në BSGI. Bota ka një interes të përbashkët në administrimin e përgjegjshëm të sigurisë globale të ushqimit. Ne ua kemi borxh këtë njerëzve më në nevojë.

Shënim:Josep Borrell është përfaqësuesi i lartë i BE-së për punët e jashtme dhe politikën e sigurisë dhe zëvendëspresident i Komisionit Evropian. /albeu.com

 


Shtuar 5.08.2023 14:18