Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping, pritet të zhvillojnë ditën e dytë të bisedimeve në Moskë, ku lideri kinez po zhvillon vizitën e parë në katër vjet në mes të izolimit ndërkombëtar në rritje të Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Putin dhe Xi e quajtën njëri-tjetrin “mik të dashur” teksa u takuan në Kremlin në ditën e parë të takimeve më 20 mars.
Të dy liderët bënë deklarata të shkurta në hyrje të takimit. Xi do të qëndrojë në Rusi për tri ditë dhe dy shtetet thanë se kanë mundësi për të thelluar “partneritetin pa kufi” dhe liderët dënuan atë që e quajtën përpjekje të Uashingtonit për t’i izoluar dhe për të ndalur zhvillimin e tyre.
Takimet me Xi-në paraqesin një mundësi të rrallë për Putinin për të pretenduar se Rusia është krejtësisht e ndarë nga pjesa tjetër e botës, pavarësisht se ai është subjekt i një urdhërarrestimi nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të pretenduara të luftës.
“Ne shpresojmë se partneriteti strategjik midis Kinës dhe Rusisë nga njëra anë do të mbështesë drejtësinë ndërkombëtare, dhe nga ana tjetër do të promovojë prosperitetin e përbashkët dhe zhvillimin e shteteve tona”, tha Xi në nisje të takimit me Putinin.
Takimi në ditën e parë përfundoi pas katër orësh dhe zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin ka të ngjarë që t’i ofrojë Xi-së “shpjegim të detajuar” për veprimet e Moskës në Ukrainë. Ai shtoi se bisedime më të gjera për një sërë çështjesh në mes të zyrtarëve rusë dhe kinezë janë paraparë të mbahen më 21 mars.
Zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, u tha gazetarëve se Xi dhe Putin duket se janë “në një lloj martese me interes” sesa në një martesë dashurie.
“Këto dy shtete për një kohë të gjatë kanë kritikuar lidershipin amerikan në mbarë botën”, tha ai.
Kirby tha se Shtëpia e Bardhë vazhdon të jetë e shqetësuar me mundësinë që Kina mund t’i ofrojë Rusisë armë vdekjeprurëse.
Ai po ashtu tha se Uashingtoni e inkurajon Xi-në që t’i bëjë presion Putinit “se ai duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, duke shtuar se lideri kinez duhet të flasë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, lidhur me ndikimin e luftës në Ukrainë.
Vizita e Xi në Rusi vjen disa javë pasi Kina njoftoi për një propozim për zgjidhje politike në Ukrainë. Shtetet perëndimore thanë se ky plan është bazuar në qëndrimin rus, përfshirë edhe fajësimin e Perëndimit për pushtimin e paprovokuar. Plani kinez bën thirrje për armëpushim dhe bisedime të paqes.
Putin, në hyrje të takimit me Xi, mirëpriti planin e Kinës.
“Ne gjithmonë jemi të hapur për negociata. Ne sigurisht se do t’i diskutojmë të gjitha çështjet përfshirë edhe nismat tuaja, të cilat ne sigurisht i trajtojmë me respekt”, tha ai.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shprehur skepticizëm lidhur me propozimin dhe ka thënë se mund të jetë një strategji për të ndihmuar Rusinë në terren.
Ai po ashtu ka dënuar vizitën e Xi-së, duke theksuar se koha kur po mbahet kjo vizitë tregon se Pekini po i ofron Moskës “mbrojtje diplomatike” për të kryer krime të tjera. /REL