Putin bisedë telefonike me Erdogan, në tryezë marrëveshja e grurit dhe nevoja për negociata

Vladimir Putin dhe Tayyip Erdoğan patën një bisedë telefonike të premten në mëngjes, ndërsa pasdite është planifikuar një tjetër bisedë telefonike ndërkombëtare e presidentit rus, njoftoi Dmitry Peskov.

“Përveç takimeve dhe konferencave të mbyllura, presidenti ka zhilluar disa biseda telefonike ndërkombëtare. Tashmë është zhvilluar një bisedë telefonike mes presidentit Putin dhe presidentit turk Erdogan.

Në të ardhmen do të publikojmë raportin tonë tradicional mbi këtë temë. Pasdite do të ketë një tjetër bisedë ndërkombëtare”, u tha Peskov gazetarëve, duke iu referuar orarit të punës së Putinit për të premten.

Sipas asaj që u bë e ditur, Putin dhe Erdogan diskutuan për marrëveshjen e grurit, e cila ditën e djeshme u zgjat edhe për 120 ditë të tjera.

“Gjatë bisedimeve u diskutuan çështjet rajonale, në veçanti marrëdhëniet midis Turqisë dhe Rusisë dhe zhvillimi i situatës rreth “korridorit të grurit”. Presidenti Erdogan falënderoi presidentin rus Putin për qëndrimin e tij konstruktiv për zgjatjen e marrëveshjes së eksportit të grurit të Stambollit për 120 ditë”, tha zyra e Erdogan.

“Duke përshëndetur propozimin e presidentit rus Putin për ngritjen e një qendre gazi natyror në Turqi, presidenti Erdogan deklaroi se ekipet përkatëse do të kryejnë vlerësimet e nevojshme teknike, ligjore dhe tregtare për të arritur sa më shpejt qëllimet e përbashkëta”, shtohet në mesazh.

“Në të njëjtën kohë, ndërsa deklaroi se zgjatja e luftës ruso-ukrainase do të rrisë rreziqet dhe rrjedhimisht nevojën për të ringjallur bisedimet diplomatike, Presidenti Erdogan tha se kontaktet midis krerëve të shërbimeve të inteligjencës ruse dhe amerikane në Turqi luajtën një rol vendimtar në parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar në terren”, tha zyra.


Shtuar 18.11.2022 13:02