Publikimi i listave të pagave, VOA: Nxorri në pah dobësitë e institucioneve

Në Shqipëri është çelur një debat i gjerë pas qarkullimit në rrjetin social WhatsApp, të tre databazave, dy me listëpagesat e afro 700 mijë qytetarëve shqiptarë, dhe një me targat e makinave. Ekspertë ligjorë, të sigurisë kombëtare dhe gazetarë i thanë Zërit të Amerikës se zbulimi i pagave dhe të dhënave të tjera personale si ai numrave të kartave të identitetit, përbën skandalin më të madh të të gjitha kohrave në fushën e të dhënave personale në Shqipëri.

“Kjo nuk është një rrjedhje rastësore e informacionit pasi, siç e patë, doli lista e parë, një listë më e reduktuar, doli kryeministri të jepte shpjegime, doli një listë tjetër e detajuar. Ky proçes çon ne kolaps, dhe kjo do një ndërmarrje urgjente. Kjo nuk bëhet me justifikime të përmirësimit të punës me grupe kontrolli apo me historira të tilla, sepse nëse nuk ndërpritet aksesori, atëherë do dalin të gjithë të dhënat në shesh. Në fillim kur bie zjarri duhet fikur ai, pastaj shihet se cilat orendi duhen ndërruar. Dhe kështu është dhe kjo punë, duhet urgjentisht sistemi të sigurohet, që të mos kemi rrjedhje të mëtejshme”, tha për Zërin e Amerikës avokati Genc Gjokutaj.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrotjen e të Dhënave Personale e konsideron një ngjarje të rëndë publikimin e pagave dhe numrave të kartave të identitetit, të qindra mijra qytetarëve dhe thotë se për këtë ka nisur një hetim adminstrativ.

“Të njëjtën rrugë do të ndjekim nëse do të këtë raste të ngjashme në vazhdim”, thotë drejtuesi i këtij institucioni Besnik Dervishi.

Ai shprehet për Zërin e Amerikës se nga inspektimet e vazhdueshme është vënë re domosdoshmëria e përmirësimit të sistemeve të menaxhimit të sigurisë, nevoja për rritjen e buxhetit për mbrojtjen e të dhënave personale si dhe ajo e përgatitjes së ekspertëve të kësaj fushe, që siç thotë ai me keqardhje, mungojnë. Një sërë sistemesh janë të çertifikuara sqaron zoti Dervishi por kjo nuk do të thotë se janë të pathyeshme, ndaj sipas tij, kërkohet vigjilencë e vazhdueshme. Komsioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka kryer një kontroll së fundi në disa institucione që administrojnë të dhënat personale, ku bën pjesë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për të cilën ka arritur në këtë konkluzion.

“Në konstatimin tonë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk ka patur standardet e duhura të mbrojtjes së sistemeve të menaxhimit të informacionit për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe për këtë arsye ne kemi lënë dhe detyra përkatëse dhë në muajin gusht edhe është sanksionuar për të njëjtin qëllim”, u shpreh për Zërin e Amerikës Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Njohës të sistemit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve thonë se në këtë institucion ka mjaft persona që kanë akses të kufizuar dhe të plotë, në listëpagesat dhe se numri dhe funksioni i tyre dihet, pasi është i përcatuar me ligj. Përveç këtij institucioni ata sqarojnë se është dhe Agjensia Kombetare e Shoqërisë së Informacionit që i zotëron këto të dhëna, por ata dyshojnë se ato kanë dalë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke lënë të hapur dhe mundësinë e manipulimit të tyre nga persona të caktuar.

Përpunimi i një informacioni të tillë do një kohë relativisht të gjatë, thotë Arben Xhaferi, ish punonjës në drejtorinë e hetimit tatimor. Ai shprehet se publikimi i një listëpagese, ku paga më e lartë është 700 milion lekë të vjetra dhe më e ulëta 300 mijë në muaj, mund të nxisë probleme të shumta sociale që dëmtojnë bizneset të cilat janë motori i ekonomisë së vendit. Zoti Xhaferi vëren me shqetësim, se kompani apo individë pas publikimit të listëpagesave rrezikojnë të jenë shënjestra të grupeve kriminale. Më tej ai hedh hije dyshimi se pas pagave tejet të larta, mund të fshihen afera dhe akte korruptive.

“Unë më shumë këtë e shikoj si një problematikë të nxjerrjes së parave për efekte të korrupsionit, për efekt të atyre që ne e quajmë rëndom 10, 15 apo 20 përqindëshi i tenderimeve. Ekziston mundësia që në këto kompani. me këto nivele kaq të larta pagash punëdhënësit të bëjnë një marrëveshje me punëmarrësit të tipit “po ta vendos pagën 3 milion. Nga këto 3 milion, ti merr një, të tjerat do i kthesh mbrapsh”. Dhe pastaj këto para përdoren kesh për rryshfet”, tha për Zërin e Amerikës Arben Xhaferi, ish-punonjës në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Organet hetimore kanë nisur një hetim për dy vepra penale, “Keqpërdorim i të dhënave përsonale” dhe “Shpërdorim detyre”. Gazetarja Klodiana Lala thotë se prokuroria ka indicie të mjaftueshme për të hetuar edhe për pastrim parash dhe evazion fiksal.

“Konstaton kompani të caktuara të cilat nga njëra anë dalin me bilanc negativ, dhe nga ana tjetër kanë paga tmerrësisht paga tepër të fryra. Për nivelin shqiptar janë paga që kur i shikon befasohesh, dhe këtu ka indicie të plota për të patur hetime për kompani të caktuara për veprën penale të pastrimit të parave. Ka ama kompani të tjera që mund të hetohen për fshehje të të ardhurave dhe evazion fiskal. Pse e them këtë gjë, sepse janë paga qesharake shumë të ulëta në raport me pozicionin që kryen punonjësi në fjalë. Për shembull ka paga të deklaruara 300 mijë lekë të vjetra, ndërkohë që pozicioni i personit x është shumë i lartë”, u shpreh për Zërin e Amrikës Klodiana Lala, gazetare dhe drejtuese e emisionit “Shënjestër” në News24.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe ekspertët thonë se, sanksionet administrative dhe penale për nxjerrjen e të dhënave personala janë të papërfillshme në raport me dëmet, dhe shtojnë se ato duhen forcuar.

Ekspertët e vlerësojnë si një arritje të madhe dixhitalizimin e shërbimeve, por shtojnë se ai duhet të shoqërohet me masa të forta sigurie. Ata sot shtrojnë disa pyetje. Përse po ndodh tani hedhja në qarkullim e një listëpagese e gati një viti më pare? Çfarë qëllimi fshihet pas këtij akti, cili u pasua edhe me publikimin e një database me targat e makinave të qytetarëve shqiptarë?

“Shqetësimi im lidhet me sigurinë kombëtare. Ne nuk dimë ende nëse të dhënat që kanë dalë janë të dhënat e fundit apo do të ketë të dhëna të tjera. Nëse do të ketë të dhëna të tjera, mendoj se këtu jemi përballë një organizimi i cili ka një qëllim përtej inateve personale. Mund të jemi pastaj përballë një synimi të caktuar, që ka për qëllim ose të zhvendosë vëmendjen nga një hetim i rëndësishëm, nga probleme thelbësore ose kërkohet të destabilizohet paqja në Shqipëri dhe Shqipëria dihet që është një nga faktorët e rëndësishëm në Ballkan”, tha për Zërin e Amerikës Fabian Zhilla, ekspert për sigurinë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një konferencë të posaçme për median në lidhje më ngjarjen e rëndë të qarkullimit të listëpagesave të qytetarëve shqiptarë në rrjetin social WhatsApp, u kërkoi ndjesë atyre dhe inkurajoi autoritetet hetimore të kryejnë detyrën. Për këtë ngjarje është dorëhequr drejtori i Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Përfaqësues të komunitetit të gazetarëve i vlerësojnë të pamjaftueshme këto reagime nga autoritetet dhe shtojnë se kjo dorëheqje duhet të pasohet me të tjera, në nivele të larta./VOA


Shtuar 27.12.2021 22:49