“Pse të prish gjumin për disa drejtorë?”, Rama inkurajon SPAK: Punë e mirë kur një parazit s’është më

Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka folur në lidhje me hetimet e SPAK, ku janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë së tij.

Në një intervistë për Nacionale të Kosovës, kreu i qeverisë shqiptarë inkurajon Prokurorinë e Posaçme, ndërsa thekson se fakti që drejtësia në Shqipëri, po godet edhe pushtetitn, duhet të gëzojë njerëzit.

“Faki që sot kemi një drejtësi me të gjitha problemet e veta, fakti që i kemi dhënë drejtësisë mundësinë të ketë një grykë zjarri pavarësisht a je në pushtet apo në opozitë, kjo duhet t’i gëzojë njerëzit, për herë të parë nga 1912-ta ka një forcë në qeveri që po i krijon kushtet drejtësisë që të rritet”, tha Rama.

Edi Rama: Pse duhet të prish unë gjumin pse u kapën disa drejtorë? Për mua është gjithmonë lajm i mirë, tashi mos i marr se të gjithë prezumohen të pafajshëm, por është punë e mirë kur një parazit që ushqehet në trupin tonë të shtetit shqiptar, nuk është më në pozicionin të vazhdojë të ushqehet me trupin e shtetit shqiptar.

Kjo është sikur ke një të dashur larg qoftë në një proces kure shëndetësore dhe doktori thotë ia pastruam disa shenja që kishte, ti gëzohesh që ia hoqën.

Unë nuk dua të kujtohem, përveç për një gjë, luftova që në fillim që Shqipëria të ketë një moment kthese ku drejtësia të godas majtas, djathtas, pa pyetur as sa larg je, as afër je as çfarë lidhje ke me atë e këtë, as a e ke bo as s’e ke bo këtë.

Po ashtu, Rama ka deklaruar se Plani i Ri i Rritjes ekonomike nga BE për vendet e rajonit “na jep mundësinë që ne të mund të hyjmë në BE përmes zonave të caktuara të sistemit të BE-së dhe të marrim ato përfitime që përndryshe do t’i merrnim kur të bëheshim anëtarë të BE-së”.

Rama u ndal te zhvillimet e samitit Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE mbajtur pak ditë më parë në Kotorr për zbatimin në vijim të këtij plani ekonomik.

Edi Rama: Sot që flasim të gjithë shqiptarët që janë qytetarë të Bashkimit Evropian, qofshin nga Shqipëria, qofshin nga Kosova, kur çojnë para në Shqipëri apo në Kosovë, kanë një kosto shumë të lartë se sa nëse do të transferonin paratë që do të çonin nga Franca në Zvicër apo nga Suedia në Zvicër. Një nga gjërat që do ndodhin, të paktën për Shqipërinë kjo gjë do të ndodhë besoj deri në fund të vitit kemi bërë goxha punë për këtë, është se nuk do ketë më barrë ekstra për shqiptarët e Shqipërisë që transferojnë para nga Franca, Gjermania, Italia në Shqipëri, por do të jetë njësoj sikur do t’i transferonin në një vend brenda për brenda BE-së.

Ai shtoi më tej se “kështu janë korsitë e gjelbra. Kemi një sërë pikash kufitare si rajon me vendet e BE-së, do të jetë i njëjti regjim si mes vendeve të BE-së. Plus përkundër reformave që kemi marrë përsipër që lidhen me anëtarësimin”.

Shefi i qeverisë nënvizoi gjithashtu se “janë edhe 6 miliardë midis 2024-2027 dhe do të ndahen pavarësisht se çka bën ti. Do jepen vetëm në bazë të performancës”.

Edi Rama: E mira e këtij plani, është që askush nuk mban peng më asnjë Shqipëria s’ka problem as me Serbinë, as me Kosovën as më të të tjerët, por do bëjë punë e vet. Kush ka probleme me tjetrin nuk do të përfitojë nga plani./albeu.com 


Shtuar 20.05.2024 12:36