Pse presidenti gjerman është “i padëshiruar” në Kiev?

 Presidentët e Polonisë dhe të shteteve baltike po vizitojnë Kievin për bisedime me homologun e tyre ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Por, siç raportuam më herët, atyre nuk do t’u bashkohet homologu i tyre gjerman.

Frank-Walter Steinmeier anuloi planet e tij për t’u bashkuar me grupin pasi Ukraina e bëri të qartë se ai nuk ishte i mirëpritur, me kancelarin Olaf Scholz tani të ftuar në vend të tij.

Plani, tha Steinmeier gjatë një udhëtimi në Varshavë, ishte “ndërmarrja e një udhëtimi në Kiev për të dërguar një sinjal të fortë të solidaritetit të përbashkët evropian me Ukrainën”.

“Unë isha gati ta bëja këtë, por me sa duket – dhe duhet ta mbaj parasysh këtë – kjo nuk ishte e kërkuar në Kiev.”

Gazeta gjermane Bild citoi burime ukrainase duke thënë se Steinmeier-it iu refuzua pranimi në Kiev “për shkak të lidhjeve të ngushta me Rusinë në vitet e fundit”.

Javën e kaluar, Steinmeier pranoi se kishte gabuar në lidhje me Rusinë, duke thënë se politika gjermane ndaj Moskës kishte dështuar dhe se ai ishte gabuar për përpjekjen për të ndërtuar ura me Putinin dhe për mbështetjen e Nord Stream 2.