Nga Emirjon Senja
Po bëhen 24 orë nga vrasja makabre e 7-vjeçares në plazhin e Potamit në Himarë dhe opinioni publik nuk di thuajse asgjë zyrtarisht mbi ngjarjen e rëndë.
Deri më tani ka patur raportime në media që i referohen dëshmitarëve të ngjarjes, por Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë detaj mbi rrethanat e saj, mbi pronësinë e skafit, mbi rikthimin në detyrë të Arjan Tases dhe detaje të ngjashme që mund të ndihmonin sadopak në qetësimin e qytetarëve, të cilët tashmë po vriten edhe në breg të detit nga punonjës policie.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Shtetit reagoi dy herë mbi ngjarjen në fjalë. Reagimi i parë ishte mbi shkarkimin nga detyra të Arjan Tases, policit me të shkuar të dyshimtë që vrau 7-vjeçaren, dhe reagimi i dytë ishte shkarkimi i të gjithë zinxhirit komandues të Policisë Kufitare në Vlorë.
Edhe pse kemi të bëjmë me një krim të rëndë, të bërë nga një punonjës policie, në shkelje të plotë të përcaktimeve të detyrës së tij, por edhe me shumë dyshime të mëdha mbi pronësinë e skafit, Policia e Shtetit duket se po sillet ndryshe me Arjan Tasen krahasuar me të arrestuarit e tjerë për krime të ngjashme.
Duket se Tase po mbrohet nga kolegët e tij duke u kujdesur që të mos rrjedhë asgjë kompromentuese mbi të në opinionin publik, ndërkohë që në raste të ngjashme, mediat dhe gazetarët janë furnizuar me një mal me informacion nga vetë Policia e Shtetit.
Kështu për shembull, Policia e Shtetit nuk ka shpjeguar edhe as pas 24 orëve se në pronësi të kujt ishte skafi me dy motorë me nga 300 kuaj fuqi që drejtonte Arjan Tase dje.
Në media janë qarkulluar me kast disa detaje nga dëshmia e tij, që thoshte se ia kishtë marrë një kushëriri, por Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë informacion zyrtar.
Po ashtu, mungon një informacion zyrtar mbi faktin se ne çfarë rrethanash e ka marrë Arjan Tase në përdorim një skaf aq të fuqishëm?
Dihet gjerësisht se një punonjës policie në gradën komisar, ka një pagë që varion mes 80-90 mijë lekëve në muaj. Po ashtu, dihet gjerësisht se me këtë pagë asnjë shqiptar nuk mundet që me këto të ardhura të mund të përballojë koston e mbajtjes së një skafi të tillë, qoftë edhe me shpenzimet e karburantit.
Një tjetër pyetje që kërkon përgjigje lidhet me rikthimin e tij në detyrë në Policinë e Shtetit pas pezullimit për shkak të një operacion anti-drogë në zonën e Himarës, ku ishte shef policie. Policia e Shtetit duhet të tregojë se në çfarë rrethanash është rehabilituar Arjan Tase.
Turizmi shqiptar është goditur rëndë nga një ngjarje e tillë, po ashtu edhe qetësia e qytetarëve, të cilët nuk ndihen të sigurt askund, madje edhe pranë uniformës së Policisë së Shtetit. Transparenca, do të ndihmonte disi në këtë drejtim. /abcnews.al