PS “ndez motorët” për zgjedhjet lokale, çfarë pritet të ndodhë sot me “peshat e rënda” të bashkive

Ditën e sotme Partia Socialiste pritet të mbledhë Kryesinë.

Sipas burimeve për albeu.com, mësohet se mbledhja do të nisë në orën 18:00.

Gjithashtu bëhet me dije se fokusi i diskutimeve pritet të jetë mbi zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm, ku pritet që PS të diskutojë emrat për kandidatët e mundshëm në garën për Bashkitë.

Ajo që është lënë të nënkuptohet nga kryeministri Edi Rama është se në këtë mbledhje do të kemi një ndarje të tre kategorive, e para është ajo e kryebashkiakëve që do të rikandidohen, kjo në varësi të performancës dhe vlerësimeve që ata kanë marrë gjatë këtyre viteve.

Ndërkohë në kategorinë e dytë do të jenë emrat që do të diskutohen në Kryesi nëse do të rikandidohen ose jo.

Kurse kategoria e tretë është ajo e kryebashkiakëve që nuk kanë asnjë shans për të rikandiduar nën logon e socialistëve.

Sa i përket kategorisë së parë, atyre të kryebashkiakëve që pritet të rikandidohen i sigurtë është vetëm kryetari i Bashkisë së Cërrikut, i cili i rikonfirmua pak ditë më parë nga Sekretari i përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, i cili është edhe Drejtues në Qarkun e Elbasanit.

Po në Qarkun e Elbasanit gjasat për një rikandidim të mundshëm janë edhe për kryetarët e Bashkisë së Peqinit dhe Gramshit, ndërkohë që mbeten në pikëpyetje kryebashkiakët e Elbasanit, Librazhdit, Prrenjasit dhe Belshit.

Gjithashtu favorit për të rikandiduar shihet edhe kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili është vlerësuar publikisht nga kryeministri Edi Rama, për qasjen ndaj turistëve që Bashkia Lezhë pati gjatë këtij sezoni turistik.

Ndërsa duhet theksuar që i vetmi që e ka “prerë” biletën dhe është i përjashtuar nga mundësitë e rikandidimit është kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili u kritikua publikisht edhe gjatë ditës së sotme nga Rama, i cili e quajti një dështim spektakolar punën e tij gjatë këtyre katër viteve.

“Në drejtimin e ministres së Turizmit që ka bërë diferencën dhe falë disa bashkive, ose më saktë të një bashkie, të Lezhës përsa i përket pastërtisë dhe sot me përjashtimin spektakolar të bashkisë së Vlorës. Ne kemi pasur një sezon më të pastër se asnjëherë, që nuk është ndonjë gjë e madhe, por një sezon realisht të pastër” tha Rama.

Sa i përket kryebashkiakëve të tjerë, pritet që diskutohen emër për emër nëse do të kenë dhe një tjetër shans për të rikandiduar ose, jo, kjo do të vendoset nga Kryesia e Partisë Socialiste.

Kujtojmë se në zgjedhjet lpkale të vitit 2019 opozita e bashkuar nuk mori pjesë, pasi vendosi t’i bojkotojë ato./albeu.com/