Protestuesi: Pas pesë ditësh protesta të pandërprera në Tiranë dhe duke parë vendosmërinë e sovranit për të mos u ndalur deri në përmbushjen e kërkesave tona të panegociueshme, ju njoftojmë se:
Kjo lëvizje mbarëkombëtare përfaqësohet nga një grup nismëtarësh dhe një grup koordinues patriotësh me integritet dhe me vlera të larta intelektuale e shoqërore. Gra dhe burra dinjitozë, të rinj e të reja të vendosur për ta çuar këtë kauzë deri në fund dhe, në përputhje me vullnetin e sovranit, do të vijmë të marrim vendimet e duhura në kohën e duhur.
Të lidhura
None found
Kjo nismë lindi si përgjigje ndaj rrezikut të madh në të cilin ndodhet vendi ynë. Sipas bindjeve tona, vendimet e qeverisë dhe të gjithë kësaj klase politike 35-vjeçare kanë cenuar interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të Shqipërisë, duke i vënë pasuritë dhe të ardhmen e vendit në shërbim të interesave dhe politikave të tyre të ndyra private.
Për të qartësuar ju dhe opinionin publik shqiptar, dhe mbi të gjitha për të hequr çdo hije dyshimi apo përpjekje për baltosjen e kësaj lëvizjeje me baza të forta patriotike, deklarojmë se protesta është organizuar dhe udhëhiqet nga qytetarë të lirë, të bashkuar rreth një kauze të përbashkët kombëtare për të ardhmen e Shqipërisë.
Në vijim paraqesim kërkesat që burojnë nga vullneti i lirë i mijëra qytetarëve që janë bashkuar në mbrojtje të Shqipërisë dhe të interesit kombëtar:
Dorëheqjen e qeverisë.
Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë.
Shfuqizimin e Paktit të Maleve.
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
