Protesta në Shkodër/ Bylykbashi: Mosbindje kundër krimit, këto ngjarje vijnë nga tolerimi Ramës

Këtë të shtunë, në Shkodër po zhvillohet një marshim-protestë, pas ngjarjes kriminale të ndodhur pak ditë më parë ku 3 persona humbën jetën, mes të cilëve edhe një grua.

Mbështetës të opozitës dhe qytetarë janë mbledhur para Bashkisë së Shkodrës, në atë që u quajt si marshim-solidariteti kundër kriminalitetit.]

Protestës i janë bashkuar deputetët e PD-së si Dhurata Çuli, Edmond Spaho, Ramadan Lika, Lindita Metaliaj etj.

Deputeti i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, Oerd Bylykbashi, në një intervistë për gazetarin Edison Vatnikaj, tha se reagimi shqiptar duhet të jetë edhe më i fortë, duke shtuar gjithashtu se këto ngjarje vijnë si pasojë e tolerimit që Edi Rama i bën krimit të organizuar.

“Së pari është një reagim jo vetëm politik por edhe qytetar ndaj një situate absolutisht e papranueshme jo vetëm për qytetin e Shkodrës por për gjithë Shqipërinë. Edi Rama e ka kthyer këtë vend në një vend që është i dominuar nga krimi. Në çdo qytet të madh, kudo në territorin, simbioza e krimit në politikë është e dukshme gjithkund. Është e papranueshme që qytetet si Shkodra, djep qytetarie, të jenë e të vendosen në thundrën e krimit që ndodh në Durrës, qytetin ku unë jam deputet, lindur e rritur.

Kjo ndodh kudo, e në Elbasan, kudo në gjithë Shqipërinë. Reagimi shqiptar duhet të jetë gjithmonë e më i fortë. Jo më kotë ne kemi shpallur një mosbindje civile, që në funksion të saj ka jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve, por edhe shkuarjen drejt zgjedhjeve të ardhshme, nëpërmjet një mekanizmi që nuk është as i korruptuar e as i përfshirë me krimin. Qyteti i Shkodrës ishte në zgjedhjet e fundit, poligoni i përdorimit maksimal të krimit të organizuar. Ne si Parti Demokratike, e gjithë opozita, do të bëhemi mur që kjo gjë të bëhet stop dhe qytetarëve të gjithë Shqipërisë t’i kthehen mundësitë e tyre.

Organizatorët kanë përcaktuar gjithë skenarin. Ne kemi ardhur për të mbështetur maksimalisht këtë reagim me një ngjarje që e vendos Shkodrën në një hartë të paparanueshme. Kjo vjen pikërisht për tolerimin që Edi Rama i bën krimit të organizuar“, u shpreh Bylykbashi.


Shtuar 2.11.2024 12:44