Protesta në Lushnjë, procedohen penalisht 5 fermerë

Policia ka proceduar penalisht 5 fermerë në Lushnje pas protestës së ditës së djeshme, e cila u shoqëruar dhe me tensione dhe përplasje.

E. Sh., 43 vjeç, K. H., 23 vjeç, A. V., 41 vjeç, E. V., 36 vjeç, D. O., 34 vjeç, po hetohen pasi ditën e djeshme në vendin e quajtur “Rotondo e Plugut” kanë bllokuar kalimin e mjeteve për rreth 15 minuta dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë proceduan penalisht për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik” dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në manifestime të paligjshme”, shtetasit E. Sh., 43 vjeç, banues në Lushnjë, K. H., 23 vjeç, A. V., 41 vjeç, E. V., 36 vjeç, D. O., 34 vjeç, banues në fshatin Drenovicë, Berat, pasi ditën e djeshme në vendin e quajtur “Rotondo e Plugut” kanë bllokuar kalimin e mjeteve për rreth 15 minuta dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kujtojmë se Fermerët u mblodhën në shenjë proteste ndaj qeverisë pas ndryshimeve fiskale, të cilat ndër të tjera parashikonin edhe heqjen e subvencionimit me 6% të TVSH-së.

Pak ditë më parë ata i nisën një listë me kërkesa Ministrisë së Bujqësisë dhe Kryeministrit Rama ku kërkonin subvencione direkte për prodhimet bujqësore; barazimin e TVSH-së si në shitje ashtu edhe në blerje si edhe rivendosjen e subvensionit të TVSH-së me 6%.

Kërkesat sipas tyre nuk janë plotësuar duke çuar në protestën e sotme, ku policia ndërhyri për të mos lejuar bllokimin e rrugës./albeu.com


Shtuar 13.11.2021 10:31