“Protesta e 11 shkurtit ka ngjallur shpresat e shqiptarëve”, Berisha: Rama e përdori McGonigal si vrasës me pagesë kundër nesh

Kreu i PD-së Sali Berisha po zhvillon një takim në selinë blu, ku u shpreh se protesta e 11 shkurtit ka ngjallur shpresat e shqiptarëve kudo që janë dhe se ka një interes botëror për shkak të çështjes McGonigal.

Më tej, Berisha tha se Edi Rama e e përdori McGonigal si vrasës me pagesë kundër opozitës

https://www.facebook.com/SaliBerisha/videos/703693834567291

“Protesta e 11 shkurtit ka ngjallur shpresat e shqiptarëve kudo që janë. Protestë e cila ka një interes të madh në mbarë botën. Afera “Rama McGonigal” është një aferë botërore. Është një aferë që ka tronditur në fushën e sigurisë, jo vetëm marrëdhëniet bilaterale, por ka tronditur këtë fushë për SHBA-në, për vendet anëtare të NATO-s dhe vendet e lira në tërësi. Aktin që ka bërë Edi Rama, mund ta ndërmerrte vetëm një fuqi armiqësore ndaj SHBA-së. Vetëm një vend armik mund të projektonte dhe t’i lejonte vetes t’i korruptojë njeriun më të çmuar të kundërzbulimit, vendit me përgjegjësi kryesore të botës. Me përmasa, kjo tejkalon çdo imagjinatë për një vend të lirë.

Secili nga ju, në rast se i shtroni pyetjen vetes, si ka mundësi që ky njeri t’i lejojë vetes një akt të tillë? Ka vetëm një përgjigje, në keqësinë e tij, Edi Rama s’njeh asnjë kufi. Nuk ka asnjë normë, asnjë virtyt. Njeriu që haptaz deklaron se është i aftë të kryejë akte që kurrë njerëz me moral normal nuk i kryejnë. I lejon vetes çdo lloj akti në funksion të pushtetit të vetë. Kjo përbën një fatkeqësi të jashtëzakonshme për një komb dhe një shoqëri. Kur një kryeministër i lejon vetes çdo akt dhe veprim për të ruajtur karrigen e tij, ai nuk e dorëzon pushtetin në asnjë mënyrë. Ai njeh vetëm gjuhën e forcës dhe frikës.

Kjo ishte për trajtimin e problemit madhor. Tragjike është se viktimat më direkte, më të dhimbshme të kësaj afere janë demokratët shqiptarë, opozitarët shqiptarë. Kjo është e vërteta. Edi Rama, e përdori McGonigal për t’i futur një thikë, e përdori si vrasës me pagesë kundër nesh. Jo një Duman, por një McGonigal që merr përsipër të hetojë lobistin me qëllimin e vetëm për të vendosur PD-në në xhep të Edi Ramës”, tha Berisha./albeu.com


Shtuar 8.02.2023 19:46