Këtë të enjte, 19 shtator 2024, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, (KPK) shpalli vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Lezhës, Sabri Kastrati.
Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK, e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Suela Zhegun dhe anëtar Roland Ilian.
Prokurori Kastrati nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit.
Gjatë seancës dëgjimore të martën, Kastrati dha shpjegime për barrat e provës dhe gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit. Ai pretendoi se kishte paraqitur shpjegime dhe prova që kundërshtonin bilancet negative të konstatuara për pasurinë, si dhe për gjetjet lidhur me figurën e profesionalizmin.
Sabri Kastrati, e nisi karrierën në fillim të viteve ’90 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 1995 dhe në vitin 1998 u largua me kërkesën e tij, pas kthimit nga emigracioni ai u riemërua prokuror në vitin 2005 dhe në 2013-ën u transferua në Prokurorinë e Lezhës, ku dhe e ushtroi funksionin deri në momentin e shkarkimit nga detyra.