Prokurorë, punonjës policie e administratorë të pushtetit lokal: Kreu i SPAK “zbërthen” grupin e trafikantëve të drogës

38 persona kanë marrë urdhëe arresti pas një operacioni të zhvilluar të mes autoriteteve shqiptare dhe italiane, në kuadër të trafikut të lëndëve narkotike.
Drejtuesi i SPAK, Arben Kraja në një konferencë të përbashkët me kolegët e tij italianë është shprehur se ky është një operacion që është finalizuar pas një viti pune hetimesh.

Kraja ndër të tjera në fjalën e tij ka bërë me dije se në vendin tonë janë ekzekutuar 28 urdhra ndalimi, dhe mes të arrestuarve ka prokurorë, punonjës policie dhe punonjës të administratës publike lokale.

“Është një skuadër e përbashkët e krijuar, që ka një vit e gjys që kryen aktivitet dhe hetimet përbashkëta, një shkëmbim informacioni të menjëhershëm dhe të suksesshëm, i rëndësishëm në grumbullimin dhe analizimin e provave dhe ekzekutimin e masave të sigurimit, 28 masa sigurimi në Shqipëri. Një moment i rëndësishëm është dhe hetimi i gjithanshëm që është kryer, është evidentuar i gjithë zinxhiri, nga prodhimi deri te trafikimi në Itali i lëndëve narkotike, është evidentuar dhe provuar dhe përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publik duke favorizuar aktivitetin kriminal. Bëhet fjalë për prokurore, punonjës policie, administratorë të pushtetit lokal, janë sekuestruar pasuri të luajtshme dhe paluajtshme disa milionë euro. Përdorimi i bashkëpuntorëve të drejtësisë kanë dhënë dhe kontributin e tyre në këtë operacion. Kemi ngritur akuza për pastrim të veprës penale, para një viti në një konferencë në romë kemi shpjeguar dhe fazën e parë të këtij operacioni ku kam premtuar se kush është i përfshirë do të ndiqet penalisht përfshirë dhe zyrtarë publik”, ka thënë Kraja.

Kujtojmë se mes të arrestuarve janë Maksim Sota, prokuror në Vlorë dhe ish-oficeri i policisë në Vlorë, Festim Lelaj, i proceduar edhe në kohën e Tahirit.

Ndërkohë prokurori i Anti-mafias italiane, Federico Cafiero de Raho theksoi se bashkëpunimi mes autoriteteve ka vijuar prej kohësh dhe se bashkëpunimi Shqipëri-Itali lejoi strukturat të luftojnë krimin e organizuar.

“Përshëndes kreun e SPAK Arben Kraja. Operacioni mes Shqipërisë dhe Italisë ishte konstant. Prej kohësh kemi operuar së bashku për këtë operacion dhe me një raport me shumë intensitet që arritur rezultate të jashtëzakonshme. Bashkëpunimi Shqipëri -Itali lejon strukturat tona të luftojnë krimin e organizuar.

Qytetarët duhet të kenë besim në punën tonë. Anti-mafia italiane dhe policia shqiptare kanë zhvilluar këtë operacion tepër delikat, falë impenjimit të tyre kanë arritur të shkatërrojnë këtë grup që kryente aktivitetin kriminal në disa vende. Është e rëndësishme që bashkëpunimi ynë të vazhdojë në mënyrë intensive”, tha ai.