“Procesi zgjedhor më i turpshëm në historinë e Shqipërisë”, Noka-mazhorancës: Ju i thoni shqiptarëve se ju shkelim si vemje

Opozita e ka nisur me akuza ndaj mazhorancës seancën e sotme parlamentare.

Deputeti demokrat Flamur Noka deklaroi se procesi  zgjedhor i 14 majit, ishte procesi më i turpshëm në historinë e proceseve zgjedhore në Shqipëri.

Noka tha se dita e diel konfirmoi se ka një narkoregjim dhe se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ekziston.

Noka: U mbyll një proces më i turpshëm në historinë e Shqipërisë sa i takon të ashtuquajturve procese zgjedhore. Më 14 maj në Shqipëri nuk kishte zgjedhje, kishte një proces votimi. Ditën e diel ju konfirmuat se këtu nuk ekziston një qeveri demokratike sikurse duhet të ketë në çdo vend. Dita e diel konfirmoi se ka një regjim, narkoregjim. Në Shqipëri u tregua ditën e diel se vija ndarëse mes partisë dhe shtetit nuk ekziston.

Në Shqipëri parti shtet ishin para krimi, para droge. SHISH, polici, ushtri të gjithë ishin garnizon i PS për të vjedhur, terrorizuar, përçudnuar procesin e quajtur zgjedhor, me një kusht që rilindja të merrte 100% të pushtetit. Banda e quajtura qeveri ditën e diel shkoi në zgjedhje me një moto, të gjithë pushtetin sovjetëve. Nuk kishte gjë më të neveritshme. Kjo tregon mentalitetin e Edi Ramës dhe qeverisë, obskurantist. Nuk kishte imagjinuar ndonjëherë që kryeministri të thoshte po votuat opozitën do ju lëmë pa ujë, pa bukë, pa drita. Po i thoni shqiptarëve që ju shkelim e ju konsiderojmë si vemje. Jeni duke e çuar Shqipërinë në skajet e pamundurës./Albeu.com/


Shtuar 18.05.2023 10:53