Procesi i Berlinit, Scholz paralajmëron marrëveshje: Samiti do zhvillohet në nëntor të këtij viti

Pas një takimi me kryeministrin slloven Robert Golob, kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se Samiti i Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet në nëntor të këtij viti për t’i dhënë një shtysë të re Procesit të Berlinit, shkruajnë mediat e huaja.

Ai vuri në dukje se Ballkanit Perëndimor iu premtua një perspektivë e shpejtë dhe realiste e BE-së në vitin 2003, por ai vlerësoi se pak ka ndodhur që atëherë. Sipas tij Gjermania dhe Sllovenia dëshirojnë të bashkëpunojnë për t’i dhënë një shtysë të re procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Fatkeqësisht, ky proces, siç është bërë, është një proces që ka çuar në apati në këto vende, sepse është shumë i ngadalshëm,” tha Golob.

Ai vlerësoi se BE-ja duhet të fokusohet në shpërblimin e Ballkanit Perëndimor për përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në BE, shkruan Reuters. Ai përmendi çështjen e energjisë si shembull dhe sugjeroi që Maqedonia e Veriut mund të lejohet të marrë pjesë në projekte energjetike në mbarë BE-në sapo vendi të zbatojë të gjitha rregullat e BE-së për energjinë./albeu.com