Në një intervistë për emisionin për News24, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, e ka cilësuar paketën e masave penale të njoftuar nga qeveria ndaj protestuesve, si një reagim të dëshpëruar për të frikësuar studentët.
Ai tha se masat e paralajmëruara nga kryeministri Edi Rama, nuk do të ndalin protestat që kanë vijuar prej dy javësh në Shqipëri.
Të lidhura
None found
Salianji kundërshtoi krahasimin e protestave shqiptare me ato në Francë dhe Itali, duke argumentuar se rrethanat janë krejt të ndryshme.
Sipas tij, zhvillimet në Shqipëri kanë më shumë ngjashmëri me lëvizjen studentore në Serbi, e cila u përball me pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.
Duke folur për masat shtrënguese ndaj pjesëmarrësve në protesta, ish-deputeti demokrat i përshkroi paralajmërimet e qeverisë si “presione me lugë çaji”.
Ai theksoi se këto masa nuk do t’i zmbrapsin të rinjtë, ndërsa reagimet e ekzekutivit, sipas tij, dëshmojnë më shumë për gjendjen politike të qeverisë sesa për studentët.
Ai komentoi gjithashtu zhvillimet në Serbi dhe marrëdhëniet e afërta mes Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiçit. Salianji tha se edhe deklaratat e ish-presidentit serb tregojnë se kryeministri shqiptar po përballet me një situatë politike gjithnjë e më të vështirë.
Salianji nënvizoi se protestat në Shqipëri nuk kanë lidhje me ato në Francë apo Itali, ku, sipas tij, e gjithë klasa politike italiane mbështet masat e gjendjes së jashtëzakonshme. Ai shtoi se e vetmja pikë e përbashkët mes tyre është pjesëmarrja e njerëzve, ndërsa ngjashmërinë kryesore e sheh te Serbia.
“Presionet me lugë çaji” i cilësoi si masa që mund të irritojnë përkohësisht, por që duken fëmijërore dhe nuk përbëjnë një kërcënim real për të rinjtë. Sipas tij, këto reagime janë dëshpëruese dhe tregojnë më shumë për qeverinë sesa për studentët, të cilët nuk do të frikësohen.
Duke iu referuar Vuçiçit, ai tha se presidenti serb ka qenë armik i shqiptarëve që nga koha kur ishte pranë Millosheviçit, por megjithatë ka pasur marrëdhënie miqësore me Edi Ramën. Salianji kujtoi se Vuçiç e ka cilësuar Ramën “asetin e Shqipërisë”, ndërsa ka deklaruar se kryeministri shqiptar mund të kishte reaguar më herët ndaj lëvizjes studentore, por nuk e bëri.
Sipas Salianjit, fakti që edhe miqtë e Ramës parashikojnë fundin e tij tregon vështirësinë e situatës. Ai shtoi se largimi sa më i shpejtë i Edi Ramës do të sillte më pak kosto për vetë kryeministrin, ndërsa shqiptarët tashmë përballen me kostot e kësaj situate.





