Mediumi prestigjioz britanik “The Athletic” ka përzgjedhur Vedat Muriqin në formacionin alternativ më të mirë të sezonit.
Publikimi ka ndërtuar një 11-she të dytë me futbollistët më të spikatur në botë gjatë vitit 2026, ndërsa në rolin e qendërsulmuesit ka vendosur yllin e Kosovës, në rast se Kylian Mbappe nuk do të ishte në atë pozicion.
Të lidhura
None found
“The Athletic” ka vlerësuar paraqitjet e jashtëzakonshme të Muriqit, edhe pse Mallorca u rrëzua në La Liga 2. Për të nënvizuar ndikimin e tij, mediumi britanik kujtoi se as Barcelona dhe as Real Madridi nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të varura nga golat e Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos.
“Vedat Muriqi nuk mundi ta mbante Mallorcan në La Liga gjatë sezonit të kaluar, por është e vështirë të imagjinohet se mund të kishte bërë më shumë për ekipin e tij”, shkruan “The Athletic”.
Sipas mediumit, sulmuesi 32-vjeçar tashmë është pjesë e Fenerbahces, ndërsa gjatë aventurës me Mallorcan realizoi 23 prej 47 golave të skuadrës në La Liga. Me 49.3 për qind, kjo ishte përqindja më e lartë e golave të shënuar nga një lojtar në pesë ligat kryesore të Evropës. “As Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo nuk kanë qenë të varur në një masë të tillë nga golat e tyre gjatë karrierës në Spanjë”, thuhet në shkrim.
“Muriqi përfaqëson profilin e sulmuesit klasik. Ai nuk bazohet te spektakli, por te fuqia fizike, përplasjet në duele dhe saktësia përpara portës. Me një gjatësi prej 194 centimetrash, futbollisti kosovar sfidon mbrojtësit, kërkon krosimet dhe i jep ekipit mundësi të fitojë terren”, vijon artikulli.
Publikimi veçon gjithashtu kontributin e tij në ato aspekte të lojës që shpesh kalojnë pa marrë vëmendjen e duhur. “Ai shkëlqen sidomos në punën e palodhur që rrallë vlerësohet sa duhet. Në sezonin e kaluar të elitës së futbollit spanjoll, vetëm Kylian Mbappe shënoi më shumë gola se sulmuesi kosovar”.
“Edhe pse Muriqi nuk ishte vërtet kandidat për Topin e Artë, përfshirja e tij është një vlerësim për të gjithë qendërsulmuesit që dinë të shfrytëzojnë në maksimum rastet e pakta dhe që, përmes angazhimit të tyre, marrin rol vendimtar në ekipet ku luajnë”, përfundon mediumi britanik.






