“Kush ju premton lekë nuk ju jep jo lekë, por ju jep mbrapsht dy ato gishtat në të dy bebet e syrit…”
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kreun e demokratëve, Lulzim Basha, duke thënë se ai është njësoj si “Xhaferri që ishte dikur dhe premtonte vetëm lekë”.
Rama tha se kush gënjehet nga premtimet se do të marrë lekë, jo vetëm që s’ka për të marrë, por “mbrapsht do marri dy ato gishtat në të dy bebet e syrit”.
Rama: Këtu ka edhe disa që janë fare të vegjël për ta kujtuar kohën kur ishte një Xhaferr me makina, me bori, me njerëz që e shoqëronin karvan, karvan dhe me të tjerë që i dilnin në rrugë dhe e prisnin me këngë dhe çfarë premtonte Xhaferri, lekë, lekë, lekë, lekë.
Me jepni një t’ju jap dy. Çfarë i thotë sot Luli, të njëjtën gjë që i thoshte Xhaferri, lekë, lekë, lekë, më jepni një votë t’ju jap kaq lekë, më jepni një votë t’ju jap kaq mijë euro sa të dilni nga barku i nënës, më jepni një votë t’ju jap kaq mijë euro sa të çoni fëmijën në shkollë, më jepni një votë t’ju jap edhe shtëpi sapo të martoheni.
Kush ju premton lekë nuk ju jep jo lekë, por ju jep mbrapsht dy ato gishtat në të dy bebet e syrit.
Ndërkohë që kush premton punë jo duke thënë unë do ju jap punë dhe për vete duke fjetur gjumë, por duke punuar pa pushim atëherë kur ke një punë vijnë edhe lekët. Kur shkon pas premtimit të lekëve jo punë që nuk ke por humbet edhe lekët që ke.