Ata janë plakur, prindërit tanë janë plakur. Askush nuk na kishte përgatitur për këtë fakt. Një ditë të caktuar ehumbasin qetësinë, bëhen më të pambrojtur dhe shfaqin fiksime “të kota”. Kanë shumë vite mbi shpatulla dhe dinë gjithçka, e shpikin edhe atë gjë që nuk e dinë.
Ata janë të lodhur duke u kujdesur për të tjerët dhe duke u shërbyer si shembull: tani është koha për t’u kujdesur dhe përkëdhelur nga ne. Tani nuk bëjnë më plane afatgjata, por u përkushtohen aventurave të vogla, si psh të hanë fshehurazi diçka që ua ka ndaluar doktori.
Kanë njolla në lëkurë. Papritur bëhen të trishtuar. Por ata nuk janë të vjetëruar: fëmijët janë të vjetëruar, të cilët refuzojnë të pranojnë ciklin e jetës. Është e vështirë të pranohet që heronjtë dhe heroinat tona nuk janë më në kontroll të situatës. Ata janë të brishtë dhe paksa me demencë. Ata e kanë këtë të drejtë, por ne vazhdojmë t’u kërkojmë fuqinë e një lokomotive. Ne nuk e pranojmë brishtësinë e tyre, trishtimin e tyre.
Ndihemi të irrituar dhe ndonjëherë i qortojmë nëse gabojnë me celularin ose me një objekt tjetër elektronik dhe nuk kemi durim të dëgjojmë për të njëjtën herë të njëjtën histori, të cilën ata e tregojnë ndonjëherë pa e kuptuar se e kanë treguar edhe herë të tjera më parë.
Në vend që të pranojmë me qetësi se ata marrin një ritëm më të ngadaltë të jetës me kalimin e viteve, ne zemërohemi thjesht sepse ata kanë tradhtuar besimin tonë, besimin se ata do të ishin po aq të pathyeshëm sa super heronjtë. Nxitim diskutime të panevojshme dhe këmbëngulim që gjithçka të vazhdojë si zakonisht. Intoleranca jonë mund të jetë vetëm frika. Frika nga humbja e tyre dhe veçanërisht frika se ata do të pushojnë një ditë së qenuri të kthjellët dhe të gëzuar.
Me zemërimin tonë vetëm sa u shtojmë më shumë trishtim, atyre që një ditë u përpoqën vetëm të na jepnin gëzim. Pse nuk mund të jemi sadopak, nga ajo që ata kanë qenë për ne? Sa herë këta heronj dhe heroina netë të tëra ishin pranë nesh me ilaçe, duke na trajtuar ethen dhe duke na matur temperaturën? Dhe ne zemërohemi kur ata harrojnë të marrin ilaçet e tyre dhe kur grindemi me ta, i lëmë të qajnë, si krijesat që kemi qenë dikur.
Koha na mëson të përfitojmë nga çdo fazë e jetës, por është e vështirë të pranojmë fazat e të tjerëve, aq më tepër kur të tjerët kanë qenë shtyllat tona mbështetëse për vite të tëra. Ato shtylla ku mund të ktheheshim gjithmonë dhe e dinim se do të na prisnin krahëhapur, dhe që tani po japin shenja se një ditë do të ikin nga kjo botë pa ne.
Le të bëjmë më të mirën për ta sot, më të mirën e mundshme që nesër kur të ikin, t’i kujtojmë me dashuri, të kujtojmë buzëqeshjet e tyre dhe jo lotët e trishtimit që derdhën për fajin tonë. Në fund të fundit, heronjtë tanë të djeshëm, do të jenë heronjtë tanë përgjithmonë./Burimi “BOTA.AL”