Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç ka thënë se kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç është vetëm zëdhënëse e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, ndërsa i bëri thirrje Beogradit që të mos flasë më për gjenocid.
“Bërnabiç është zëdhënësja, korrierja e zotit Vuçiç. Sigurisht që nuk e nënvlerësoj këtë, por duhet ta dimë se kush çfarë roli luan”, tha Milanoviç dhe i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë “të llomotisë për spastrim etnik në Kroaci”. “Epo, boll më” shtoi ai, raportojnë mediat kroate.
Ai tha se Serbia duhet t’i japë fund marrëdhënieve të mira me Rusinë.
“Serbia duhet të thotë se ku është, ka kaluar një vit”, tha Milanoviç.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç së shpejti do ta vizitojë Suboticën dhe Milanoviç nuk pret asgjë nga kjo vizitë.
“Në mënyrë që diçka të ndryshojë rrënjësisht në Beograd, është e nevojshme të ndryshohen themelet e politikës atje. Nuk mund të ecësh me historinë se Kroacia moderne lindi nga spastrimi etnik”, tha presidenti kroat.
“A doni të hyni në BE, as atje nuk ju ndihmojmë, duhet t’i jepni fund këtij lloji të marrëdhënieve me Rusinë në këtë moment”, tha Milanoviq, duke kërkuar nga Beogradi listat e të vrarëve./express