Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, është shprehur se nga vendet fqinje vijnë agjentë rusë.
Komentet Pendarovski i bëri gjatë një interviste për numrin e fundit të të përjavshmes “Fokus”, ku ka komentuar edhe deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme rus Sergei Lavrov, i cili së fundi ka përsëritur se disponimi i popullit maqedonas është në kundërshtim me kursin euroatlantik të elitën politike.
Siç thotë Pendarovski, këto janë deklarata provokuese të cilat, sipas tij, janë pjesë e propagandës politike.
“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia ndërhyn në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjët vijnë njerëz që janë agjentë rusë, pra njerëz të shërbimit rus. Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve hibride të quajtura moderne, përmes propagandës politike”, tha Pendarovski.
Ai tregon se në organet kompetente ka informacione për persona që kanë ardhur për të provokuar protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”./albeu.com/