Edhe pse ëndrra më e madhe e 35- vjeçarit të ndjerë Kreshnik Tomanit, i cili ndërroi jetë pasi u përplas me një automjet në 24 gusht, nga një 17-vjeçar, ishte jo vetëm të shkollonte vajzat e tij, por Nikitën ta bënte këngëtare, gjithçka u përmbys.
Në këte ditë të parë të shkollës Nikita dhe motra e saj Fjonisa , nuk u shoqëruan nga babai i tyre i dashur, dhe as me buzëqeshje si gjithë fëmijët e tjerë.
Të kapura për dore nga nëna e tyre Kristina, e cila mbante me vete dhe foshnjën 9- muajshe teksa përmbahej të mos lotonte, dy vajzat iu bashkuan fëmijëve të tjerë , në shkollën e mesme artistike “ Jakov Xoxa” për të nisur rrugëtimin e dijes.
Një histori e dhimbshme, që i dha ngjyrë gri një dite te vecante si kjo e sotmja. Sakaq, mesojme se rreth 13 mijë nxënës u rikthyen në shkollë në gjithë territorin e qarkut te Fierit, rreth 900 fëmijë u ulën për herë të parë në banka.
Megjithatë, statistikat tregojnë për një ulje të numrit të nxënësve në Patos, me 110 nxenes me pak krahasuar me vitin e kaluar. Rënie ka edhe në Roskovec, me 50 nxenes me pak se vitin e kaluar.
Shkolla 9-vjeçare “Jorgo Sopiku” në Luar, është shndërruar këtë vit në shkollë vartëse. Situata paraqitet edhe më problematike në Mallakastër, ku në klasën e parë janë ulur vetëm 64 nxënës, nga 93 që ishin një vit më parë.