Prej 3 ditësh ndotja toksike në zonën e Kurbinit vijon, teksa mbetjet në ish-landfillin në Laç vijojnë të digjen, duke çliruar shtëllunga të mëdha tymi. Pavarësisht reshjeve të shiut dhe punës së zjarrfikësve e mjeteve të rënda, nuk është bërë ende e mundur shuarja e flakëve. Kjo situate ka sjellë ndotje të madhe në të gjithë zonën e Kurbinit.
Ish-fusha e mbetjeve në Laç, që ndodhet në kurorën e gjelbër të qytetit, u përfshi nga flakët ditën e shtunë, vetëm një ditë pasi Kryeministri Edi Rama kritikoi ashpër kryetarët e bashkive për pastrimin e territorit.
Mbetjet nuk depozitohen më në këtë landfill prej një viti e gjysmë, ndërsa flakët kanë përfshirë mbetjet që kanë qenë aty. Tashmë mbetjet urbane depozitohen në landfillin e Bushatit, por nuk ka një shpjegim se pse kurora e gjelbër e qytetit ishte lënë pa pastruar prej 18 muajsh./albeu.com