Pas një vëzhgimi të bërë nga UEFA, dyshohet se në Serbi gjatë muajit mars të këtij viti, janë trukuar dy ndeshje, teksa një prej këtyre dy ndeshjeve mendohet të jetë ajo mes Mladost dhe Radniçkit, me këta të fundit që u mposhtën 4-1 dhe të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë.
Për këtë arsye, UEFA i ka kërkuar drejtuesve të Federatës, të nisë hetimet për trukim dhe manipulim të ndeshjeve. Në letrën e UEFA-s thuhet se lojtarët e njërës skuadre, emri i të cilave nuk bëhet i ditur, i kanë dhënë hapësirë për të shënuar kundërshtarëve dhe kjo ka ngritur dyshime të mëdha për trukim.
Ndonëse nga të dyja skuadrat mohohet, ndeshja që Mladost fitoi 4-1 dyshohet për trukim dhe e gjitha për shkak të mënyrës sesi shënohen golat.
Ndryshe nga pjesa e parë kur ishte në formë të mirë, në pjesën e dytë portieri i Radniçkit, bën disa gabime fatale, të cilat shndërrohen në gol. Një gafë të çuditshme bën edhe portieri i Mladostit, në minutën e 82, teksa një gjuajtje të lehtë nuk arrit ta ndalë dot, por përkundrazi, i jep një ndihmë topit të shkojë në portë.