Porti i Durrësit/ Gjykata Kushtetuese nuk kalon për shqyrtim ankesën e kompanisë gjermane EMS

Gjykata Kushtetuese nuk e ka kaluar për shqyrtim ankesën e kompanisë gjermane EMS në lidhje me Portin e Durrësit.

Kujtojmë që kompania gjermane EMS ka kontratë koncesionare me Portin e Durrësit dhe merrej me përpunimin e anijeve të mallrave rifuxho në Portin Durrësit.

Edhe vetë kompania ka reaguar në lidhje me vendimin, duke u shprehur se është cenuar liria ekonomike dhe parimi i barazisë para ligjit.

EMS kishte kontratë 35 vjeçare me Autoritetin Portual dhe pak ditë më parë u dëbua nga Porti i Durrësit dhe tashmë kërkon dëmshpërblim nga shteti.

Konflikti i EMS me shtetin shqiptar, kulmoi kur qeveria zyrtarizoi marrëveshjen për projektin “Durrës Yachts & Marina” me investitorin Mohamed Alabar. Padia e kompanisë gjermane EMO-APO në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, rrezikon t’i kushtojë Shqipërisë 40 milionë euro.

Kompania gjermane pretendon se qeveria shqiptare e ka trajtuar në mënyrë arbitrare dhe diskriminuese duke i shkaktuar dëme të mëdha financiare në shkelje të marrëveshjes koncesionare. Ndërkohë që thekson se qeveria ka trajtim preferencial me dy koncesione të tjera, ai për transformimin e portit të mallrave në Durrës në një port turistik si dhe ai i portit MBM në Porto Romano.

 


Shtuar 1.08.2023 15:21