Polici kroat: Një nga aksidentet më të rënda që kam parë ndonjëherë

10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë raportohet të jenë lënduar si pasojë e një aksidenti të ndodhur mëngjesin e sotëm në rajonin e Kroacisë, saktësisht në autostradën e territorit të Brod-it.

Viktimat dhe të lënduarit në këtë rast janë kosovarë, të cilët po udhëtonin nga Gjermania drejt Prishtinës.

Lidhur me këtë rast janë deklaruar edhe nga policia, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë arritur të gjitha ekipet emergjente si ambulanca dhe zjarrfikësit.

Zyrtari policor Franjo Galiq deklaroi se ky është një nga aksidentet më të rënda që ka ndodhur ndonjëherë në këtë teren.

“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është një nga aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galiq.

Kurse nga administrate policore kanë deklaruar se situata është shumë e vështirë dhe ka ende një numër të madh të pasagjerëve që janë në rrezik të jetës.

Shkaqet e aksidentit nuk dihet ende, por dyshohet se kishte dy shoferë në këtë autobus dhe njëri prej tyre ishte ndërruar kur kishte arritur në Zagreb.


Shtuar 25.07.2021 11:42