Polici i burgjeve vdiq në aksident, reagon Manja: Do bëj përpjekjet maksimale për t’ia ndihmuar familjen

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ka reaguar për vdekjen tragjike në aksident të punonjësit të Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Burgjeve.

Manja ka shprehur ngushëllimet dhe u zotua se do të bëjë përpjekjet maksimale për të ndihmuar familjen e tij që është në kushte jo të mira ekonomike.

“Me hidhërim të thellë mësova për ndarjen nga jeta të Luan Cenollarit, punonjës i Forcave Operacionale pranë Drejtorisë së Burgjeve, në një aksident automobilistik.

Prej së paku 16 vitesh në detyrë, Luani, 57 vjeç, la pas dy fëmijë, djalin 27 vjeç dhe vajzën 22 vjeç, si dhe bashkëshorten.

Jam përkrah tyre në këtë dhimbje dhe do të bëjmë gjithçka për ta lehtësuar sadopak!

Jam përkrah edhe kolegëve të tij! E di situatën, dhe po bëj përpjekjet maksimale që ajo të ndryshojë.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes Cenollari!”, shkruan në Facebook, Manja.

Kujtojmë se orët e para të mëngjesit të ditë së sotme, drejtuesi i mjetit tip “Citroen” Emirjan Doko, 30 vjeç, në gjendje të dehur ka hyrë me semafor të kuq në kryqëzim dhe është përplasur me një mjet tip “Honda”. Për pasojë humbën jetën shoferi i “Hondas” dhe pasagjeri, Luan Cenollari dhe Ali Bejo.

“Citroeni” me të cilin po lëvizte Doko, ka ardhur nga Pallati me Shigjeta në drejtim të qendrës, ndërsa Honda ku humbën jetën dy persona vinte nga Inxhinieria e Ndërtimit.

Cenollari ishte polic i burgjeve dhe  pas punës punonte si taksist për të siguruar disa të ardhura më shumë për të siguruar një jetë më të mirë për fëmijët./albeu.com


Shtuar 11.11.2021 12:42