Policët në Vlorë dhunojnë barbarisht të riun që i parakaloi me biçikletë: Më nxinë syrin…

Emisioni “Stop” është nisur drejt rrugës “Transballkanike” në hyrje të qytetit të Vlorës me të riun Marsido Alushaj. Ai tregon, se më 10 Maj të vitit 2024, ka parakaluar me biçikletë një makinë civile, por qytetarët që ishin në të, i kanë ndërprerë rrugën duke i kërkuar llogari se pse i ka sharë.

Denoncuesi: Unë kam qenë për qejfin time duke udhëtuar me biçikletë, ndërkohë që kam parakaluar një makinë që as nuk e kam ditur që kanë qenë polica, as me logo, as me gjë. Unë kam parakaluar dhe kam ecur prapë në rrugën time, kur kam dëgjuar një zhurmë borie dhe instinktivisht kam ngritur dorën si të gjithë shoferët, në ato moment ata kanë shtuar gazin dhe kanë prerë rrugën, më kanë ndaluar dhe më kanë thënë kë ke sharë. Unë u kam thënë që as kam sharë njeri dhe as nuk ju njoh, kush jeni. “Kush jemi ne, nuk na njeh?” Jo nuk ju njoh. “Ok do ta marrësh vesh tani.” Kanë hapur derën më kanë marrë në makinë më kanë rrahur, më kanë dhunuar, më kanë sharë nga familja, nga motra nga çdo gjë.

Gazetarja: Ju jeni dhunuar brenda një automjeti, që ishte automjet civil?

Denoncuesi: Civil, po!

Gazetarja: Ndërkohë personat që ju dhunuar ishin civilë?

Denoncuesi: Civilë.

Gazetarja: I njihje si pamje?

Denoncuesi: Jo, jo. Nuk i njihja nuk i kisha parë ndonjë herë.

Gazetarja: Sot pas pesë ditësh shoh që ke ende shenja në fytyrë. Janë shenjat e dhunhës së asaj dite?

Denoncuesi: Po, po.

Gazetarja: Ku të kanë dhunuar, përveçse në pjesët e fytyrës?

Denoncuesi: Në kokë, në krah. Kam patur shenja, po që kanë ikur se ka rreth 4-5 ditë që ka ndodhur. I vetmi gabim në këtë histori është që kam ecur në rrugën e makinave dhe jo të biçikletave.

Marsido thotë, se as që ka sharë njeri, por ata, që rezultuan policë të veshur civilë, e futën në makinë dhe e dhunuan. Sipas Marsidos, ata janë identifikuar vetëm pasi e kanë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë në Vlorë. Në këto ambiente policët i kanë ofruar shishen e ujit, që t’i ulej enjtja e syrit. Tre punonjësit e policisë Granit Lamaj, Kristi Pazaj dhe Granit Pecaj e kanë kallëzuar Marsidon për fyerje.

Denoncuesi: Më kanë dhunuar në masë ekstreme, që këtu deri në komisariat. Është gati rreth 5 minuta, me trafik 10 minuta. Aty janë identifikuar që janë punonjës policie më kanë mbajtur edhe tetë orë, për arsye shoqërimi sipas policisë. Kur kam mbërritur në komisariat, aty më kanë dhënë ndihmën vetë ata që më kanë dhunuar më kanë thënë “Merre këtë bidonin me ujë çoje në sy që të të ulet plaga, mos të të enjtet syri”. Kam bërë kallëzim te AMP-ja.

Gazetarja: Cilët janë këta tre emra, që sipas teje nuk janë deklaruar që janë punonjës të policisë?

Denoncuesi: Granit Lamaj, Kristi Pazaj dhe Granit Pecaj. Edhe ata kanë bëtë denoncim për dhunë ndaj tyre dhe për ofendim ndaj tyre.

Nëpërmjet një kamere te fshehtë “Stop” i drejtohet ekspertit mjeko-ligjor për të kuptuar se nga çfarë janë shkaktuar shenjat në fytyrën e denoncuesit, Marsido Alushaj.

Mjeko-ligjori – Ça problem ke, o djalë?

Denoncuesi – Jo thjesht donim ta pyesnim për diçka!

Mjeko-ligjori – Nesër!

Denoncuesi – Faleminderit! Nëqoftëse ju keni mundësi ta pyesni në telefon!

Mjeko-ligjori – Ça kërkon ti? Atëhere asnjë përgjigje nuk i jepet qytetarit. Vete me postë sekrete në prokurori.

Duke qenë se nuk u arrit të merrej asnjë përgjigje konkrete nga eksperti mjeko-ligjor emisioni “Stop” me anë të një kamere të fshehtë i është drejtuar Komisariatat të Vlorës për të tentuar një takim me njërin prej punonjësve që kanë qenë pjesë e ngjarjes së datës 10 maj.

E ëma e denoncuesit – Dua të takoj nja 3 punonjës të policisë. Granit Lamaj. Atëhere në lidhje me policat është, se kanë goditur djalin dhe thjesht unë dua t’i pyes arsyen!

Informacioni – Kush të ka goditur?

Denoncuesi – Këta personat!

Informacioni – Graniti?

Denoncuesi – Granit Lamaj, Kristi Bazaj dhe Granit Pecaj!

Informacioni – (Flet në telefon me Granit Lamajn) Dëgjo një çikë! Ke një Marsido Alushaj bashkë me të ëmën, që të kërkojnë. Ky është në shërbim. Është në një shërbim nëpër qytet.

Informacioni – Është në Lungomare, po vijnë për këtej.

E ëma e denoncuesit – Shumë faleminderit!

Informacioni – Ju lutem!

Pas dy orësh pritje.

E ëma e denoncuesit – Zotëria erdhi?

Informacioni – Jo, jo nuk lejohet. E sqarova me shefat përkatës dhe më thanë të vazhdoj me procedurat standarde. Nëqoftëse ka ndonjë ankesë, tha, të vazhdojnë të ankohen, sepse nuk lejohet që të takojnë vetë personat.

“Stop” iu drejtua me kërkesë zyrtare Drejtorisë së Policisë Vlorë, ku sigurisht nuk u pranua dhuna. Madje në përgjigje pretendohet, se Marsido ka qenë i agravuar dhe shoqërimi është bërë vetëm për marrjen e gjeneraliteteve, akt pas të cilit ai është lënë i lirë./Tvklan


Shtuar 21.05.2024 21:42

Tags: ,