Gjiganti mediatik CNN, ka analizuar në një shkrim të gjatë qasjen e Perëndimit ndaj presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që sipas autorit Christian Edwards po e rrezikon destabilizimin e Ballkanit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë sanksionuar shefin e BIA-s, Aleksandar Vulin dhe në përgjigje, sipas CNN, Vuçiç ndaloi eksportimin e armëve për një muaj.
Në përgjigje të sanksionimit të Vulinit, Vuçiç ndaloi eksportet e armëve nga Serbia për 30 ditë, duke pretenduar se “gjithçka duhet të përgatitet në rast agresioni kundër Republikës së Serbisë”, shkruan CNN.
“Ai në thelb thotë ‘ne do të hyjmë në konflikt, duhet të’i ndalojmë të gjitha eksportet e armëve tani, sepse na duhen për sigurinë tonë kombëtare’. Ai po kërcënon fjalë për fjalë me luftë. Unë kurrë nuk e kam parë atë kaq të qartë më parë”, ka thënë Majda Ruge, eksperte në Këshillin Europian për Marrëdhënie me Jashtë.
Dhe mesazhi i presidentit është pranuar nga disa qytetarë serbë, shkruan CNN. Në ndeshjen e futbollit të Yllit të Kuq të Beogradit muajin e kaluar, tifozët nacionalistë serbë mbanin një pankartë ku shkruhej “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”. Vuçiç mori pjesë në ndeshje, sipas mediave lokale.