Plot 6 gola, Vllaznia show ndaj Apolonisë (VIDEO)

Vllaznia ka marrë një fitore shumë të lehtë ndaj Apolonisë, me rezultatin 0-6. Në fushën e tyre, fierakët nuk mundën të rezistonin ndaj shkodranëve duke marrë goditje të njëpasnjëshme. Goli i parë i miqve erdhi në minutën e 15 nga ana e Da Silvës, ndërsa tetë minuta më pas ishte radha e Dilaver për të dyfishuar. Por, vrulli i kuqebluve nuk u ndal me aq dhe në pjesën e parë kishte vend edhe për një tjetër gol, këtë herë me anë të Hoxhajt.

Festivali i golave vazhdoi në fraksionin e dytë të sfidës dhe sërish ai që hapi llogaritë ishte Da Silva. Ndërkohë, duke parë lehtësinë me të cilën po arrinte të fitonte, trajneri Tomas Bërdariç bëri zëvendësime ndërsa hodhi në fushë edhe djalin e tij, Tim.

Ky i fundit gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 82, ndërsa në të 90-tën Hoxha shënoi të gjashtëin dhe të dytin personal. Pas këtij suksesi, Vllaznia i bashkohet në krye Partizanit me 50 pikë, ndërsa Apolonia është e fundit me 23 pikë dhe duket e dorëzuar në garën e mbijetesës.

Apolonia-Vllaznia 0-6

Shënues:15′ Da Silva, 23′ Dilaver, 26’Hoxhaj, 52′ Da Silva, 82′ Brdaric, 90’Hoxhaj


Shtuar 18.04.2021 16:18