Përse u vra “kumbari” i Shkodrës? Gazetarja zbulon kandidatin që mbështeste në zgjedhje

Ekzekutimet mafioze prej 20 marsit kanë përfshirë disa qytete të vendit. Bandat kriminale duket se janë në “fushatë’ dhe po ngutën që të lajnë hesapet mes tyre. Krimet e ndodhura gjatë këtyre 25 ditëve në Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Shkodër përveçse  prishjes së pazareve të drogës dhe hakmarrjes kanë edhe si motiv politikë, duke qenë se vendi ishte në fushatë zgjedhore.

Por mbarimi i saj nuk e ka zbehur aspak egërsinë e krimit i cili ka marrë revansh, ndërsa agjencitë e sigurisë në shumicën e ngjarjeve nuk kanë mundur të identifikojnë autorët edhe pse pistat janë të njohura dhe bëhen publike brenda disa orëve.

Në 4 prill në Shkodër do ekzekutohej Bardhok Pllanaj një personazh mjaft i njohur, madje i etiketuar edhe si “kumbari”. Ngjarja erdhi në një situatë  specifike pasi policia e shtetit ka qenë në gatishmëri për shkak të fushatës zgjedhore e cila gjithmonë ngre tensione dhe shoqërohet me ngjarje të rënda dhe vinte pas dy vrasjeve në Durrës dhe Elbasan.

“Bardhok Pllanaj ishte një personazh ekuilibronte grupet kriminale në Shkodër. Kishte shumë ndikim mbi ta. Nëse ai do të ndërhynte për të shuar sherret mes grupeve kriminale ishte një fitore e sigurt dhe ai ishte një personazh që nuk ruhej, nuk lëvizte me makinë të blinduar apo me bodigardë, pasi e konsideronte veten të sigurt” tha Klodiana Lala.

“Bardhok Pllanaj dihej botërisht që ishte i përfshirë në fushatën zgjedhore, mbështeste një nga kandidatët e LSI-së për deputet” tha Lala. Vrasja ndodhi në lagjen Dobraç dhe ndaj makinës më të cilën udhëtonte viktima u qëlluan më shumë se 40 plumba.

Një 46 vjeçar mjaft i njohur në qytet, madje i hetuar nga dhe gjykuar nga institucionet e qytetit verior për pasurinë e tij, por që nuk iu konfiskua. Gjithashtu ai u hetua nga ish-prokuroria e krimeve të rënda për trafikun e 700 kilogrameve kanabis nga laguna e Vilun, akuzë e cila nuk u provua. Në 2014 ai i shpëtoi arrestimin pasi u fsheh në makinën e ish-deputetit Mark Frroku dhe policia nuk mund të ndërhynte, edhe pse ishte konfirmuar se ai ndodhej aty.

Më këto të dhëna Pllanaj dukshëm ishte një personazh i cili nuk prekej nga shteti për shkak se nuk provoheshin akuzat. Por kjo nuk mund të thuhej për kundërshtarët e tij të cilët nuk patën asnjë vështirësi për ta ekzekutuar.

“Hetuesit janë duke e drejtuar hetimin drejt një qyteti tjetër në veri të vendit, aty ku mendohet se Pllanaj mund të ketë dijeni për një vrasje tjetër mafiozeve dhe ky grupet mendohet të jetë hakmarrë ndaj tij. Dhe kjo lidhet edhe me disa ngjarje të tjera kriminale” tha gazetarja.

Shkodra dhe Elbasani  për shkak të ngjarjeve mjaft të rënda kanë një specifikë tjetër. Tashmë sipas ekspertëve kanë kaluar tek vrasjet e gjakut dhe ekzekutime të tilla nuk lidhen shumë me atë që është në pushtet apo ka ndikim politike.


Shtuar 18.05.2021 22:07