Përplasje në kampin e MEK, vjen reagimi i Ministrisë së Brendshme: Muxhahedinët nuk i qëndruan marrëveshjes

Ministria e Brendshme ka reaguar lidhur me kontrollet e kryera ditën e sotme në kampin e muxhahedinëve në Manzë të Durrësit nga policia shqiptare.

Në reagimin e ministrisë thuhet se operacioni është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Më tej theksohet se grupi i iranianëve, i vendosur në Shqipëri prej vitit 2014 nuk i është përmbajtur angazhimeve dhe ka thyer marrëveshjen.

Lidhur me pretendimet për humbje jete, ministria deklaron se po bëhen të gjitha deklarimet proceduriale.

REAGIMI I MINISTRISE SE BRENDSHME

Operacioni i sotëm i Policisë së Shtetit në vendqëndrimin e MEK në Manëz të Durrësit është në zbatim të plotë të urdhrit të SPAK dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Vendimi i Gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipëri vetëm për qëllime humanitare.

Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen. Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qënë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Fatkeqësisht brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit, çka bie ndesh me kuadrin procedural të zbatimit të ligjit. Bazuar në të dhënat e Policisë së Shtetit, gjatë operacionit nuk ka pasur humbje jete dhe as të lënduar. Për çdo pretendim për humbje jete në spitalin e vendqëndrimit të tyre po bëhen të gjitha verifikimet proceduriale.

Si u strehuan në Shqipëri muxhahedinët?

Muxhahedinët u morën nën mbrojtjen e SHBA-ve  pas ndërhyrjes së tyre të armatosur në Irak në vitin 2003 dhe mbështetjes që ata u dhanë operacioneve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit

Pasi ushtria e SHBA-ve mori në kontroll gjithë territorin, ky grupim filloi zhvendosjen nga kampi i krijuar në Irak. Në vitin 2013, qeveria shqiptare ra dakord me sekretaren e Shtetit Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik.

Rotacioni i pushtetit nga qeveria e PD-së tek PS nuk e ndryshoi marrëveshjen e arritur më 2013 për pranimin e muxhahedinëve në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Këtë hap të tij, në reagimet publike, Rama e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.

Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës mendohet se është 3500.

Si qeveria e PD, ashtu edhe ajo e PS, kanë ofruar shumë pak informacion në lidhje me marrëveshjen me SHBA dhe numrin e saktë të muxhahedinëve të strehuar në Tiranë.

Por kush janë muxhahedinët?

Në Iran janë të shpallur si grup terrorist dhe të padëshiruar, ndërsa kanë mbështetjen e SHBA dhe të Perëndimit.

Ishte viti 1965 kur u krijua ky grupim dhe që në fillimet e tyre e deri në vitin 70’ kanë qenë në opozitë me ish liderin e Iranit Mohammad Reza Shah. Pas përmbysjes së regjimit të tij dhe triumfit të revolucionit islamik, kjo organizatë sërish mbeti në opozitë, dhe u shpall si “terroriste” nga Ajetullahu Ruhollah Homeini. Kjo bëri që të detyrohen të largohen nga vendi i tyre, ku një  pjesë emigruan në Perëndim dhe një pjesë shumë e madhe u strehuan në Irak, ku ngritën kampin “Ashraf”.

Në Irak ata u përfshinë në organizimin e aksioneve terroriste dhe destabilizuese kundër regjimit iranian, të mbështetur nga diktatori Husein. Për këtë arsye ata u caktuan si organizatë terroriste nga shumë vende perëndimore përfshi edhe SHBA-të.

Pas konfliktit të SHBA-ve në Irak dhe hyrjes së ushtrisë amerikane në këtë vend për të rrëzuar regjimin e Sadam Husein, muxhahedinët iranianë dolën në krah të SHBA dhe ushtrive të NATO-s.

Për këtë arsye ata u morën në mbrojtje nga ushtria amerikane

/albeu.com/


Shtuar 20.06.2023 12:49