Përplasja Izrael-Iran/ Këshilli i Sigurimit të OKB-së thërret mbledhje emergjente të premten

Ditën e nesërme 20 Qershor,  Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, do të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme në New York, për të diskutuar konfliktin në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Iranit.

Kjo mbledhje vjen pas kërkesës së Iranit, e mbështetur nga Kina, Pakistani dhe Rusia.

Një pjesë e kërkesës së Iranit përfshin edhe ftesën që Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi, si dhe shefja për çështjet politike në OKB, Rosemary DiCarlo, të bëjnë një raport të ri për Këshillin.

Kjo do të jetë mbledhja e dytë emergjente, pas asaj të parë që u zhvillua të premten e kaluar.

Irani ka lëshuar rreth 400 raketa balistike dhe 1,000 dronë kundër Izraelit që nga fillimi i konfliktit midis dy vendeve të premten, tha një zyrtar ushtarak izraelit për CNN.

Nga raketat e lëshuara, rreth 20 raketa balistike goditën zonat urbane në Izrael, shtoi zyrtari. Të paktën 24 persona janë vrarë në Izrael që kur ai filloi sulmin e tij ndaj Izraelit.