Përfshihen nga flakët kodrat e Peshtanit në Fier

Mesditën e sotme, një zjarr i përmasave të mëdha, ka përfshirë kodrat e Peshtanit në Fier. Flakët janë përhapur me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme me bimësi të dendur në pyllin me pisha dhe ullishte.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë tre automjete zjarrfikëse, të cilat po punojnë me efektiv të plotë për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve.

Zjarri i sotëm, mendohet të jetë riaktivizuar pasi ditën e djeshme po në të njëjtin vend ka rënë një vatër zjarri, e cila është fikur pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve zjarrfikëse.

Zjarri i sotëm ndodhet pranë kodrave të Likovunit, aty ku janë vendosur antenat televizive dhe të telefonisë celulare.

Ndërhyrja me mjete është e vështirë për shkak të terrenit të thyer kodrinor, ndërsa era e fortë e vështirëson edhe më shumë shuarjen e flakëve.

Aksionit për fikjen e zjarrit i janë bashkuar edhe banorët e zonës, të cilët po u vijnë në ndihmë forcave zjarrfikëse, duke përdorur mjete rrethanore.


Shtuar 31.03.2024 15:44