Përdorim dhune e “tapë” në timon, arrestohen 4 persona në Lezhë

Policia ka vënë në pranga 4 persona gjatë 24 orëve të fundit në Lezhë për vepra të ndryshme penale.

Policia e Lezhës bën me dije se dy prej tyre janë arrestuar për dhunë në familje, dy të tjerë pasi drejtonin mjetet të dehur dhe pronari i një restoranti është proceduar penalisht për ndotje të ajrit.

Shefqet Rusi dhe Luan Zefi ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshorteve të tyre ndërsa Alfred Margjonaj dhe Shkëlzen Reçi jan kapur duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Shefqet Rusi, 42 vjeç, banues në Zejmen, Lezhë, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Po kështu u bë ndalimi i shtetasit Luan Zefi, 37 vjeç, banues në lagjen “Nënë Tereza”, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: Alfred Margjonaj, 42 vjeç, banues në Kallmet, Lezhë dhe Shkëlzen Reçi, 37 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Rrethi i Shëngjinit” dhe në Fushë Milot, duke drejtuar automjetet në gjendje të dehur.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Ndotja e ajrit”, shtetasi Artur Malçi, 63 vjeç, banues në Kurbin, pronari i një restoranti. Procedimi ndaj këtij shtetasi ka filluar, pasi punonjësit e restorantit, me dijeninë e tij, kanë hedhur mbeturina në shtratin e lumit Mat. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 2.08.2021 10:51