Përcillet sot në banesën e fundit poeti Skënder Rusi

Këtë të shtunë, Korça përcolli në banesën e fundit lirikun e njohur Skënder Rusi, i cili si rrallëkush më parë i ka kushtuar këtij qyteti një libër me 100 poezi.

Homazhet në nder të tij, janë mbajtur në teatrin Andon Zako Çajupi me një pjesëmarrje të gjerë të familjarëve, miqve të autorit, personalitete e deri te figura të shquara të artit, të cilët i dhanë lamtumirën e fundit poetit.

Skënder Rusi, jetonte me librat dhe për librat djali i tij Erik Rusi, kujton çastet e fundit të babait të tij, i cili pak çaste përpara se të ndërronte jetë kishte shkruar dy poezitë e fundit të tij.

Skënder Rusi, ka një karrierë mbi 50 vjeçare në fushën e letrave, është autori i 25 vëllimeve me poezi, duke dhënë një kontribut të madh për promovimin e vlerave të kulturës dhe letërsisë shqipe bashkëkohore.

Gjithashtu, ai ka ideuar aktivitetin më të rëndësishëm poetik në Korçë, “Netët Korçare të Poezisë”, i cili është shndërruar në traditë dhe pret poetë nga vendi dhe bota.

Në datën 27 Tetor të këtij viti, shkrimtari dha një lamtumirë artistike të librit të tij të fundit të titullar “Dale nga dale po bëhem ikje” dhe në këtë ceremoni interpretoi për së fundit herë publikisht.

Skënder Rusi, u nda nga jeta mëngjesin e 31 Majit në banesën e tij në moshën 72-vjeçare, pas një sfide disa vjeçare me sëmundjen e parkinson.

Ai u lind më 1952 në Korçë dhe ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi.

Në vitin 1984 është diplomuar për dramaturgji dhe në vitin 1998 për drejtues biblioteke në Kajro.

Krijimet poetike të poetit Skënder Rusi, janë botuar dhe përfshirë nëpër antologjitë e disa vendeve të Evropës si në Gjermani, Zvicër, Maqedoni, Kosovë, Greqi etj.

Për artin letrar të tij, poeti Skënder Rusi ka marrë vlerësime të shumta, ku më i fundit është vlerësimi me titullin “Qytetar Nderi i Korçës”, në vitin 2021.


Shtuar 1.06.2024 13:59