Pasi i furnizoi me vite në kundërshtim me ligjin, OSHEE vendos të ndërpresë enegjinë për këto ndërtesa

Pasi i furnizoi me energji elektrike në kundërshtim me ligjin për vite te tëra, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i është bashkuar aksionit të nisur nga qeveria kundër ndërtimeve pa leje në vend, duke marrë masa për të ndaluar lidhjet e reja me rrjetin elektrik.

Në një deklaratë zyrtare, OSHEE thekson se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për lidhje të re me rrjetin elektrik nga ndërtesa që nuk kanë leje ndërtimi, ose që nuk kanë zbatuar kushtet e përcaktuara në lejen ekzistuese

Sipas OSHEE, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave të reja për lidhje, me qëllim që të parandalohet çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin dhe për të garantuar një sistem të drejtë e të sigurt për të gjithë qytetarët.

“Në kuadër të aksionit të nisur nga qeveria shqiptare për të goditur paligjshmërinë në fushën e ndërtimit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), shprehet i vendosur për të kontribuar në këtë përpjekje të përbashkët institucionale.

OSHEE, është angazhuar për të forcuar kontrollin dhe për të mos lejuar asnjë lidhje të re me rrjetin elektrik, për ndërtimet që nuk përmbushin kriteret ligjore.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet kërkesave për lidhje të reja, me qëllim që të shmangen çdo përpjekje për të anashkaluar ligjin.

OSHEE, nuk do të pranojë kërkesat për lidhje me energji elektrike të ndërtesave pa leje ndërtimi ose që nuk kanë zbatuar kushtet e lejes ndertimit.

OSHEE, mbetet e angazhuar të veprojë në përputhje me legjislacionin dhe të kontribuojë për një mjedis të ndërtuar të sigurt, të ligjshëm dhe në shërbim të qytetarëve”.– thuhet në deklaratë.


Shtuar 13.07.2025 13:05