Në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv është miratuar edhe propozimi i ardhur nga Departamenti i Garave për ndryshimin e formatit të kampionatit “Kategoria e Parë” në sezonet futbollistike 2027/2028 dhe 2028/2029, me synimin për të rritur konkurrueshmërinë dhe për të mbajtur interesin sportiv të lartë gjatë gjithë sezonit.
Për edicionin aktual, megjithatë, nuk do të ketë asnjë ndryshim. Propozimi i Departamentit të Garave parashikon që kampionati të vijojë me formulën ekzistuese, me 3 faza të rregullta dhe 33 javë kampionat.
Të lidhura
None found
Në këtë format, vendi i 1-rë dhe vendi i 2-të i Kategorisë së Parë do të sigurojnë ngjitjen automatike në kampionatin “Abissnet Superiore”.
Ndërkohë, skuadrat e renditura në vendet 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë play-off do të luajnë gjysmëfinalet sipas skemës 3 kundër 6 dhe 4 kundër 5.
Fituesit e këtyre përballjeve do të ndeshen në finale, ndërsa skuadra që fiton finalen do të ngjitet në kategorinë “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.
Po ashtu, ekipi finalist do të luajë një ndeshje vendimtare ndaj skuadrës së renditur në vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out, për të përcaktuar ekipin që do të jetë pjesë e elitës së futbollit në edicionin e ardhshëm.
Për sezonet 2027/2028 dhe 2028/2029 është hedhur propozimi që Kategoria e Parë të ketë të njëjtën strukturë si kampionati “Abissnet Superiore”.
Sipas formulës së re, kampionati do të luhet në dy faza të rregullta me 12 skuadra përgjatë 22 javëve. Pas përfundimit të tyre, ekipet do të ndahen në dy grupe sipas renditjes, ndërsa pikët e grumbulluara në fazën e rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në play-off me sistem vajtje-ardhje për 10 javë. Ekipi i renditur i pari do të shpallet kampion i edicionit 2027/2028 dhe do të ngjitet automatikisht në “Abissnet Superiore”, ndërsa edhe skuadra që e mbyll play-off në vendin e dytë do të ngjitet në elitë.
Nga ana tjetër, gjashtë skuadrat e gjysmës së poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, gjithashtu me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy ekipet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Dytë për sezonin pasardhës.
Skuadrat e renditura në vendet 3 dhe 4 të parafundit të fazës play-out në Kategorinë e Parë do të përballen me ekipet e play-off të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe B.
Po në play-off-in e Kategorisë së Parë, skuadrat e vendeve 3, 4, 5 dhe 6 do të luajnë gjysmëfinalet me formulën 3 kundër 6 dhe 4 kundër 5. Fituesit do të përballen në finale, ndërsa skuadra që do ta fitojë atë do të ndeshet më pas me vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out, për të vendosur ekipin që do të marrë pjesë në elitën e futbollit në edicionin e ardhshëm.
