Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko deklaroi se bota është në prag të luftës bërthamore. B92 shkruan se sipas Lukashenkos Uashingtoni ka një rol të caktuar në të gjitha konfliktet e mëdha politike në mbarë botën.
“Uashingtoni është i përfshirë në të gjitha konfliktet e rëndësishme politike, por, në të njëjtën kohë, duket se injoron polemikat e brendshme që tashmë po kthehen në një konflikt civil”, tha Lukashenko.
Ai njoftoi gjithashtu se Amerika është i vetmi vend që përfiton nga ajo që po ndodh në Ukrainë sepse ata mund ti tregojnë Evropës vendin e saj dhe të eliminojnë rivalët me një lëvizje.
“Sot është Ukraina, nesër mund të jetë Moldavia, ose shtetet baltike, ose Polonia ose Rumania,” tha Lukashenko.
Sipas fjalëve të presidentit bjellorus, bota është çmendur dhe është në prag të kolapsit.
“Si do të përfundojë kjo? Për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, njerëzimi është gjetur në prag të një konflikti bërthamor. Në gjithë këtë çmenduri, ne do të duhet të dëshmojmë edhe një herë pjekurinë tonë si vend, gatishmërinë tonë për të dhënë një përgjigje të unifikuar ndaj sfidave gjeopolitike të shekullit të 21-të”, tha Lukashenko.