Himara përjetoi çaste tmerri mbrëmjen e së shtunës, ku një zjarr masiv shpërtheu në kodrën e qytetit, mbi lagjen “1 Maji”, duke marrë përmasa apokaliptike. Flakët u përhapën deri në pjesën e poshtme të qytetit, ku raportohet se u dogjën 7 banesa, për rrjedhojë Bashkia Himarë dha urdhër të menjëhershëm evakuimi për banorët dhe turistët e shumtë. Veç zjarrfikësve që po përpiqeshin për izolimin e flakëve, në terren shkuan edhe forca të shumta policie, të cilët u angazhuam për evakuimin e banorëve dhe turistëve, duke bërë vendosjen e tyre pranë vijës bregdetare, për të qëndruar më të sigurtë.
Pavarësisht situatës së rënduar nga flakët nuk ishte e mundur ndërhyrja nga ajri me helikopter apo avion zjarrshues, pasi këto mjete emergjence nuk ngrihen natën sepse nuk ka pilotë të specializuar për këto lloj operacionesh.
Të lidhura
None found
Për pasojë, për izolimin e flakëve u angazhuan nga 1 automjet zjarrfikës me efektivë të Fierit, Tiranës, Peqinit, Librazhdit, Tepelenës, Himarës, Vlorës, Finiqit, Delvinës, Sarandës, Gjirokastrës e Dropullit. Në ndihmë shkuan edhe forca vullnetare, ndërsa nga spitali nuk raportohet për asnjë qytetar apo efektiv të lënduar. Ende nuk dihet shkaku i rënies së zjarrit në kodrat e Himarës, ndërsa situata ngre shqetësim serioz për sigurinë e qytetarëve dhe turistëve që ende vijojnë ta frekuentojnë masivisht bregdetin e saj. Operacioni për izolimin e zjarrit me helikopter ka nisur këtë mëngjes.
