“Pak minuta pas urdhrit të Putinit, raketat dhe bombat ruse do të bien mbi Ukrainë”, paralajmërimi i fortë i ministrit britanik

Ministri i Mbrojtjes së Britanisë së madhe James Heappey i bëri thirrje shtetasve të britanikë që të largohen sa më parë nga Ukraina pasi situata mund të përshkallëzohet nga momenti në moment sipas tij.

“Nëse e gjithë kjo do të ishte një lojë e Putinit për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, ai e kishte këtë kur në kufirin me Ukrainën ndodheshin 50 000 ushtarë rusë. Por, Putin ka vazhduar të rrisë prezencën ushtarake pranë Ukrainës dhe kjo përbën një shqetësim të madh. Unë kam frikë se lufta është shumë pranë, por shpresoj që diplomacia të fitojë”, tha ai.

Në një deklaratë për mediat vendase,  Heappey tha se britanikët duhej të iknin nga Ukraina sa rrugët dhe linjat ajrore ishin të hapura, pasi sipas tij, nëse Putin jep urdhrin, për çështje minutash qielli i Ukrainës do të mbushej me raketa dhe pastaj nuk do të kishte më kohë për të ikur.

“Ky nuk është një paralajmërim për diçka që mund të ndodhë në tre muaj. Ky është një paralajmërim për diçka që mund të shpërthejë nga momenti në moment. Sepse, raketat dhe bombat mund të bien në qytetet ukrainase pak minuta pasi Putin ka dhënë urdhrin dhe britanikët duhet të ikin prej andej deri sa e kanë mundësinë”, tha ai.


Shtuar 14.02.2022 13:52