Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin e ndodhur dy vite më parë në “Don Bosko”, më 4 janar të 2022, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën katër të tjerë.
Sipas policisë Kasandër Noga dhe Keviç Suçi paguan për vrasjen e shtetasit G.H, i cili ishte objektivi për shkak të një hasmërie.
Në deklaratën e sotme, drejtori i Policisë Tiranë Tonin Vocaj, sqaroi se autorët kanë ngatërruar objektivin dhe në atë atentat mbeti i vrarë Erion Çela.
Gjithashtu drejtori i Policisë Tiranë sqaroi se Kasandër Noga ndodhet i dënuar për vrasje në Belgjikë dhe pritet të kërkohet esktradimi.
“Procedimet penale për këtë ngjarje janë ndjekur të ndara. Të gjitha deklarimet e vëllezërve Beqiraj janë analizuar me detaje dhe kanë qenë të rëndësishme për fillimin e hetimit. Sa i përket ekstradimit të Kasandër Nogës, ai ndodhet i dënuar në Belgjikë për një tentativë vrasje dhe në interes të këtij hetimi dhe disa hetime të tjera, nga autoritetet tona të drejtësisë do të kërkohet ekstradimi”, tha më tej ai.
Por kush ishte Kasandër Noga?
Erion Hasanbelliu dhe autori i dyshuar i plagosjes së 43-vjeçarit në Belgjikë, Kasandër Noga, kanë qenë në hasmëri.
Kasandër Noga në vitin 2000 i ka vrarë babain Erion Hasanbelliut, ndërsa ky i fundit bashkë me vëllanë ekzekutuan Julian Celën dhe plagosën rëndë Kasandër Nogën në Belgjikë në vitin 2002.
Kur ndodhi masakra e Sanatoriumit
Më 19 gusht të vitit 2000 Kasandër Noga hyri në sanatorium i shoqëruar edhe nga Julian Çela dhe pasi shkelmuan dhomën e reanimacionit ku ndodheshin të shtruar Aqif Hasanbelliu (babai i vellezërve Hasanbelliu) dhe Dritan Hajdini, shoku i Geronit, u ka hequr serumin nga krahu dhe me breshëri automatiku i ka lënë të vdekur në vend. Vrasja ndodhi për motive hakmarrjeje, pasi këta persona i kishin vrarë kohë më parë vëllain, Kasander Nogës.
Nga Hakmarrja në Belgjikë tek arratisja në Itali
Vëllezërit Hasanbelli, u vunë në ndjekje të djaloshit nga Patosi i Fierit dhe dy vjet më vonë, më 17 mars të vitit 2002, Geroni së bashku me Erion Hasanbelliun tentojnë të hakmerren. Në Antëerp të Belgjikës, Erion dhe Geron Hasabelliu ekzekutojnë Julian Celën dhe plagosin rëndë Kasandër Nogën. Pas ngjarjes në Belgjikë Geroni arriti të arratisej dhe u strehua në Itali, ku u arrestua në vitin 2009 dhe u ekstradua në Shqipëri. Kurse Kasandër Noga, autori i masakrës së senatoriumit u arrestua nga policia belge gjate vitit 2003 dhe në 2005 u ekstradua në Shqipëri, pasi mbi të rëndonte një dënim me burgim të përjetshëm.
Ndërkohë, autoritetet belge sollën dosjen e vrasjes në Anvers në Shqipëri. Në shtator të vitit 2008, Gjykata e Fierit vendosi në mungesë masën e sigurimit “arrest me burg” për Geronin dhe vëllain e tij. Ai u shpall në kërkim dhe u ekstradua nga Italia më 17 qershor të vitit 2009. Gjykata e Shkallës së Parë të Fierit me vendimin e datës 7 shtator 2009, e shpalli të pafajshëm Geronin dhe urdhëroi lirimin e menjëhershëm, duke dënuar vetëm të vëllanë Erionin me 25 vjet heqje lirie për kryerjen e veprës penale të “vrasje me paramendim për gjakmarrje e kryer në bashkëpunim”, “vrasje me paramendim për gjakmarrje“ e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë, “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.
Çështja shkoi në Apelin e Vlorës e cila rrëzoi këtë vendim dhe e dënoi Geronin me e 14 vite burg. Në zbatim të këtij vendimi policia e Tiranës arrestoi mbrëmjen e 13 qershorit 2013 Geron Hasanbelli në rrugën e “Barrikadave”.
Ndërkohë që më 21 tetor 2013 nga Belgjika u ekstradua vëllai i tij Erion (Mikel) Hasanbelli, atëherë 35 vjeç, nga Fieri.
Deklarata e policisë (24 shkurt 2024) për zbardhjen e atentatit të ndodhur dy vite më parë (4 janar 2022)
Nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sot me datë 24.02.2024 u finalizua operacioni policor “FOKUS” si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes se ndodhur më datë 04.01.2022, ku rreth orës 16:10, në rrugën “Don Bosko”, Tiranë, ku persona të panjohur, të cilët lëviznin me një automjet tip “Mercedez Benz”, me ngjyrë të zezë, kanë hapur zjarr me armë në drejtim të një lokali. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela, si dhe janë plagosur shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.
Për këtë ngjarje, Prokuroria pranë Gjykatë së Shkallës Parë të Juridiksionit Përgjithëm Tiranë, ka regjistruar procedimi penal për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” dhe 278 paragrafi i I-rë, të Kodit Penal.
Gjatë hetimeve intensive dhe profesionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në drejtimin Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke shfrytëzuar të dhënave e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit të fakteve dhe të provave, si dhe shkëmbimit të informacionit me agjensitë ligjzbatuese belge, është bërë i mundur dokumetimi ligjor i autorësisë se kësaj ngjarje kriminale.
Nga terësia e veprime të thelluara hetimore, vlerësimit të fakteve dhe provave të siguruara, deklarimet, provave shkresore, të dhënave në ekzekutim të letër porosise nga autoritet belge, krijohet dyshimi i arsyeshëm, bazuar në prova, se shtetasi Kasandër Noga në bashkëpunim me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi), kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e shtetasit G. H., dhe 2 nipave të tij për shkak të një hasmërise të vjetër, që shtetasi Kasander Noga, ka prej disa vitesh me vëllëzerit E. H., alias M. R. dhe G. H.
Për të organizuar vrasjen e këtyrë personave, shtetasi Kasandër Noga ka kontaktuar dhe porositur shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i cili më pas ka kontaktuar shtetasin Ilirian Feçi dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare.
Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe Ilirian Feçi, në bashkëpunim me njeri – tjetrin, kanë kryer veprime konktrete, takime dhe biseda, janë interesuar për lëvizjet dhe kanë vëzhguar për disa muaj intinerain e mundshëm të lëvizjeve, kanë siguruar mjetet dhe armët, më qëllim vrasjen e shtetasit G. H., duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga deklarimet e vellezërve Beqiraj, rezulton se megjithesë fillimisht ata kanë marrë përsipër kryerjen e vrasjes dhe kanë kryer veprime konkrete, pas disa kohësh janë tërhequr nga frika, dhe për gjetjen dhe vrasjen e shtetasit G. H., dhe nipave të tij, shtetasit Kasander Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë të pa identifikuar deri tani.
Gjithashtu, nga deklarimet e vellëzerëve Beqiraj, ka rezultuar se më datë 04.01.2022, shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të pa indentifikuar, si porosi e shtetasit Kasander Noga, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë shtetasin G. H., por autorët kanë ngatërruar objektiv, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela dhe janë plagosur 4 të tjerë.
Gjithashtu, nga provat e mbledhura deri tani dyshohet se shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) dhe personat e tjerë, janë ndihmuar nga shtetasi Roland Ahmetsulaj, i cili ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit – blerje automjetesh etj. Nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se ky shtetas, ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me shtetasin Kevin Zeneli (Suçi).
Pas vlerësimit të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka vendosur:
– Caktimin e masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Kasander Noga, i datëlindjes 15.05.1997, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave), parashikuar nga neni 79 gërma “dh” i Kodit Penal,
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i datëlindjes 07.03.1999, i dyshuar për kryerjen e vepave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, (kundër dy ose me shumë personave),dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 79 gërma “dh” dhe 278/1 të Kodit Penal,
– Caktimin e masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Gentjan Beqiraj, i datëlindjes 30.10.1983, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Indrit Beqiraj, i datëlindjes 01.07.1990, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungese ndaj shtetasit Ilirian Feçi (Feci), i datëlindjes 15.06.1975, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga nenet 80 i Kodit Penal,
– Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë ndaj shtetasit Roland Ahmetsulaj, i datëlindjes 30.08.1987, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për te kryer vrasje”, parashikuar nga neni 80 i Kodit Penal,
Nga Policia Gjyqësore është bërë ekzekutimi i masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasin Roland Ahmetsulaj, dhe ekzekutimi i masave të sigurimit “Arrest në burg” për shtetasit Indrit Beqiraj, Gentian Beqiraj, Ilirjan Feçi, të cilët aktualisht ndodhen të paraburgosur në ambientet e Insitucioneve të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale, të arrestuar për vepra të tjera penale.
– Shtetasi Kasander Noga aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë. Shtetasi Kevin Zeneli (Suçi) është shpallur në kërkim.